Ancelotti thotë fjalët më të mira për Luka Modricin
Ish-trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti e ka ngritur lartë ish-lojtarin e tij, Luka Modricin.
Ai ka thënë fjalët më të mira për futbollistin kroat, teksa flet për momentet e tij te Milani.
“Jam i kënaqur që ai ka qëndruar në nivelin më të lartë, dhe kjo aspak nuk është befasuese. E dija që do të bënte mirë sepse ai synon Kupën e Botës, luan një herë në javë, dhe vitin e kaluar, te Real Madridi im, ishte i vetmi lojtar që nuk humbi asnjë seancë stërvitore. Është gjenetika dhe profesionalizmi, është e thjeshtë. Ai është ende një nga mesfushorët më të mirë,” tha ish-trajneri i Real Madridit.
Luka Modric është lojtari më i trofeshëm i Real Madridit, teksa këtë verë u largua në drejtim të Milanit si transferim i lirë.
Ndërkohë, po ashtu edhe Carlo Ancelotti u largua nga Reali pas përfundimit të sezonit paraprak, duke u zyrtarizuar si selektor i Brazilit.
Modric dhe Ancelotti kanë qenë së bashku për gjashtë sezone te Reali, duke fituar tri herë Ligën e Kampionëve.