Antikorrupsioni ende pa vendim për punësimet ‘sekrete’ prej 1.6 milionë euro të Komunës së Tetovës përmes ‘Xhob 2011’
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ende nuk ka marrë vendim për punësimet ‘sekrete’ prej 1,6 milionë euro të Komunës së Tetovës dhe ndërmarrjeve publike “Tetova Transport” dhe “Sharri” për periudhën 2021-2025, shkruan Portalb.mk.
Ndonëse në muajin gusht, KSHPK-ja pas raportimit të Portalb.mk për këtë rast hapi lëndë, nga ky institucion nuk kanë sjellë ende vendim.
Nga Antikorrupsioni thonë se periudhën e kaluar përparësi kanë pasur lëndët në lidhje me zgjedhjet.
“Lënda është në vazhdim. Për shkak të procesit zgjedhor, në periudhën e kaluar, përparësi iu dha punës për lëndët e zgjedhjeve. Pas përcaktimit të gjendjes faktike në rastin konkret, një vendim do të merret në seancë publike të KSHPK-së”, thanë nga Antikorrupsioni.
Ata nuk treguan se kur pritet të merret vendimi.
Portalb.mk muajin gusht 2025 zbuloi se nga viti 2022 deri në 2025, Komuna e Tetovës së bashku me ndërmarrjet publike “Tetova Transport” dhe “Sharri” kanë shpenzuar mbi 1.6 milionë euro në kontrata për punësime të përkohshme përmes Agjencisë private për punësim “Xhob 2011”.
Ndonëse disa lista me emra qarkulluan në media, emrat e të punësuarve në Komunën e Tetovës dhe ndërmarrjet publike përmes agjencionit privat ‘Xhob 2011,’ asnjëherë nuk u publikuan nga vetë institucionet, pavarësisht se të njëjtët paguhen me paratë e qytetarëve.
Pavarësisht zotimeve për transparencë, Komuna e Tetovës nuk ia ka dërguar redaksisë së Portalb.mk listat me emrat, pas së cilës jemi ankuar në Agjencinë për mbrojtje të qasjes së lirë në informata me karakter publik.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në të kaluarën ka alarmuar se me punësimet e përkohshme bëhen manipulime.
Punësimet e përkohshme, vitet e kaluara, janë kritikuar ashpër në raportet e Komisionit Evropian si mundësi për të punësuar ushtarë partiakë në administratën publike. Këto punësime janë kualifikuar si “punësime të qëllimshme, politike dhe arbitrare”.