Arsenali e ‘shkatërron’ Tottenhamin, shkëlqen Eberechi Eze me “hattrick”

Arsenali ka arritur një fitore të madhe në Premierligë, duke e mposhtur rivalin nga qyteti, Tottenhamin me rezultat mjaft bindës.

“Gunners”, të drejtuar nga Mikel Arteta kanë marrë një trepikësh goxha të madh, duke fituar 4-1 ndaj Tottenhamit në “Emirates” e duke shkuar në +6 pikë në krye të tabelës.


Serinë e golave në derbin e Londrës Veriore e hapi Arsenali, me golin e shënuar nga Leandro Trossard në minutën e 36-të, pas asistimit nga Mikel Merino. Ky gol erdhi pas një serie me raste të shumta nga “Topçinjtë”, por që nuk po i konkretizonin rastet.

Pesë minuta më vonë, Arsenali e gjeti edhe golin e dytë.

Kësaj here shënoi Eberechi Eze, i cili doli të jetë ylli i mbrëmjes së sontme. Eze shënoi pas asistimit nga bashkëkombasi i tij, Declan Rice.

Me rezultatin prej 2-0 u mbyll edhe pjesa e parë, teksa ajo e dyta nisi më furishëm.

Eze përsëri doli në skenë, duke shënuar golin e dytë personal në ndeshje dhe të tretin për Arsenalin.

Anglezi shënoi në minutën e 46-të, pasi u asistua nga Jurrien Timber.

Nëntë minuta më vonë, braziliani i Tottenhamit, Richarlison shënoi një supergol.

Sulmuesi shënoi pothuajse nga gjysma e fushës, për të zbutur epërsinë e Arsenalit në vetëm dy gola.

Mirëpo, Arsenali nuk u ngop me vetëm tri gola.

Të besuarit e Mikel Artetës shënuan edhe golin e katërt, kur Eze e kompletoi “hattrickun” e tij.

Me këtë fitore, Arsenali shkon në kuotën e 29 pikëve pas 12 ndeshjeve, duke qenë i pari në tabelë me gjashtë pikë më shumë se Chelsea në vendin e dytë.

Ndërkohë, Tottenhami mbetet i nënti në tabelë me 18 pikë të tubuara.

Në xhiron e ardhshme, Arsenali i shkon Chelseat në “Stamford Bridge” për një tjetër derbi të Londrës.

Në anën tjetër, Tottenhami do të pres po ashtu një klub nga Londra, Fulhamin.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com