Autoritetet palestineze: 6.000 banorë të Gazës me gjymtyrë të amputuara që nga fillimi i sulmeve izraelite
Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi se 6.000 amputime janë kryer në enklavën e bllokuar që nga fillimi i luftës dyvjeçare të Izraelit në tetor 2023, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, ministria tha se fëmijët përbëjnë 25 për qind të amputimeve totale, ndërsa gratë 12,7 për qind.
“Mungesa e furnizimeve mjekësore dhe e pajisjeve ndihmëse e përkeqëson vuajtjen e të plagosurve dhe të atyre që kanë humbur gjymtyrët”, shtoi ajo.
“Këto shifra pasqyrojnë vuajtjen e thellë humanitare që përjetojnë mijëra të plagosur dhe familjet e tyre”, tha ministria, duke bërë thirrje për shërbime urgjente rehabilitimi, mbështetje psikologjike dhe sociale, veçanërisht për fëmijët që tani përballen me paaftësi të përhershme në një moshë të hershme.
Në sulmet në Gaza që nga tetori 2023, Izraeli ka vrarë mbi 69.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, ka plagosur mbi 170.600 të tjerë dhe ka lënë rreth 9.500 të zhdukur – shumë prej të cilëve besohet se janë ende nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara.
Lufta brutale izraelite u ndal nën një marrëveshje armëpushimi që hyri në fuqi më 10 tetor, sipas një plani me 20 pika të presidentit amerikan Donald Trump.