Banorët e rreth 100 apartamenteve të tre ndërtesave në Tetovë po ankohen për miratimin e Planit të Detajuar Urbanistik të miratuar nga komuna, e që sipas tyre, mundëson ndërtimin e një objekti të ri. Shqetësimi i tyre është se nëse ndërtohet një ndërtesë e re, rruga e vetme për hyrjen me automjet do të mbyllet.

“Rruga jonë ka qenë kjo që e shihni pas meje. Kështu kemi hyrë normalisht, siç duhet, dhe ka mundur të kalojë çdo automjet, qoftë ambulancë, zjarrfikës, kamion për dru, ose edhe automjet mortor. Tani kjo nuk është më e mundur, për shkak të ndërtimit të këtij objekti pas meje, ku ata duan ta ngjisin ndërtesën për t’u bashkuar me këtë. Pra, duan ta bëjnë si një lloj ‘ngjitur’”, tha Blagoja Mirçevski – përfaqësues i Banorëve .

 

Po ashtu banorët ankohen se nëse ndërtimi i ri realizohet pranë ndërtesës së tyre, do të bllokojë dritaret që janë nga ana tjetër e ndërtesës. Thonë se ndryshimi i planit urbanistik nuk është bërë në mënyrë transparente, prandaj kërkojnë drejtësi.

“Me planin e vjetër, rruga ishte e parashikuar dhe e kishte emrin, ne e kemi atë plan. Ndërsa plani i ri është një lloj ‘ngjitur’, diçka që është ndryshuar dhe mund të riparohet për t’u kthyer siç ka qenë më parë”, shtoi Blagoja Mirçevski – përfaqësues i Banorëve.

Banorët thonë se janë drejtuar edhe në Komunë, por nuk kanë marrë përgjigje. Për TV21 nga Komuna e Tetovës thanë se plani urbanistik është miratuar më të gjitha procedurat dhe se të gjitha objektet banesore do kenë rrugë, hapësira të gjelbra dhe parkim.

“Miratimin e ri të PDU për BU 74 është përcaktuar që të gjitha parcelat ndërtimore të kenë qasje të veçantë deri te trafiku rrugorë. Sipërfaqja ndërtimore që përfshihet me PDU-në e BU 74 është midis bulevardit “Vidoe Smilevski Bato”, rrugës “Vëllezërit Milladinov”, rrugës “Bllagoja Toska” dhe rrugës “180”, ku e gjithë kjo pjesë e bllokut ka tre rrugë hyrëse nga rruga “180” dhe brenda bllokut janë planifikuar trafiku rrugor, infrastrukturë, vende parkimi, garazhe nëntokësore me strehimore dhe gjelbërim”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Përveç kësaj, banorët janë të shqetësuar se punimet që pritet të fillojnë mund të rrezikojnë edhe strehimoret që gjenden mu para ndërtesës së tyre.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com