BBC i ka kërkuar falje Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për një episod të “Panorama”-s, ku ishin bashkuar pjesë të ndryshme të fjalimit të tij të 6 janarit 2021, duke krijuar përshtypjen e gabuar se ai kishte bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme.

Megjithatë, korporata ka refuzuar kërkesat e tij për kompensim.

BBC njoftoi se programi do të tërhiqet dhe nuk do të shfaqet më, ndërsa redaktimi i bërë “pa dashje” krijoi keqkuptim.

Avokatët e Trump kanë kërcënuar me padi ndaj BBC-së duke kërkuar 1 miliard dollarë dëmshpërblim, ndërsa skandali ka çuar në dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm, Tim Davie, dhe drejtoreshës së lajmeve, Deborah Turness.

BBC i ka dërguar një letër Shtëpisë së Bardhë, ku kryetari Samir Shah kërkon falje për mënyrën e montimit të fjalimit.

Megjithatë, korporata thekson se nuk sheh bazë ligjore për pretendime për shpifje, duke argumentuar se redaktimi nuk ishte me qëllim mashtrues, nuk u transmetua në SHBA dhe nuk i ka shkaktuar dëm Trumpit.

Në fjalimin e Trump, ai në momente të ndryshme thotë: “Do të ecim drejt Kapitolit…” dhe më vonë “Ne luftojmë. Luftojmë si ferr.” Në “Panorama”, këto fragmente ishin bashkuar, duke bërë që ai të shfaqej sikur i kishte thënë njëra pas tjetrës.

Trump reagoi përmes Fox News duke thënë se videoja e kishte “mashtruar” publikun.

BBC thotë se kërkesa e avokatëve të Trump për tërheqje të plotë, falje dhe kompensim është shqyrtuar, por se korporata i qëndron argumenteve të saj se nuk ka bazë për dëmshpërblim.

Ata theksuan edhe se klipi i diskutueshëm ishte vetëm 12 sekonda brenda një dokumentari njëorësh.

Ndërkohë, BBC po përballet me një pretendim të dytë për montazh mashtrues, lidhur me një klip të transmetuar në “Newsnight” në vitin 2022, ku gjithashtu është bashkuar një pjesë e fjalimit të Trump në mënyrë të ngjashme.

Një zëdhënës i BBC-së tha se çështja është në shqyrtim.

Burime të brendshme të BBC-së shprehen se korporata është e bindur në mbrojtjen e saj juridike. Nga ana tjetër, ekipi ligjor i Trump akuzon BBC-në për një “model shpifjeje”.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com