Drejtoresha e shkollës fillore “Zhivko Brajkovski” ka ndërprerë aktivitetet e nxënësve për festat e Nëntorit, me arsyetimin se ato përfshinin veshje kombëtare shqiptare. Nga dega e BDI-së në Butel e akuzojnë këtë vendim si të papërshtatshëm dhe diskriminues, duke kërkuar marrjen e masave ndaj mënyrës së veprimit të drejtoreshës. Ata gjithashtu shprehen se do të mbështesin prindërit në hapat e mëtejshëm institucionalë dhe publikë, nëse rasti nuk trajtohet siç duhet.

“Dega e BDI-së në Butel shpreh indinjatën dhe shqetësimin më të thellë për vendimin absurd dhe të papranueshëm të drejtoreshës së shkollës fillore “Zhivko Brajkovski”, e cila ka ndërprerë aktivitetin e nxënësve për festat e Nëntorit, pavarësisht se fëmijët kishin më shumë se një muaj që ushtronin dhe përgatiteshin me përkushtim. Arsyetimi i drejtoreshës, sipas të cilës aktiviteti ndalohet për shkak të veshjes kombëtare shqiptare, është skandaloz dhe diskriminues. Ky akt përbën një precedent të rrezikshëm dhe një qasje të papranueshme ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve në komunën tonë”, thonë nga BDI.

Ata kërkojnë të ndërmarren masa të menjëhershme dhe të paanshme “ndaj kësaj sjelljeje diskriminuese, e cila cenon bashkëjetesën, respektin dhe dinjitetin e komuniteteve”.

“Nëse ky rast mbulohet ose relativizohet, ne si Degë e BDI-së në Butel do të mbështesim plotësisht prindërit për të përdorur të gjitha mjetet demokratike, përfshirë informimin e plotë të opinionit publik dhe të mediave, deri në zgjidhjen e drejtë dhe të merituar të këtij skandali institucional. Nuk do të tolerojmë diskriminim ndaj nxënësve shqiptarë”, thonë nga Dega e BDI-së – Butel.

Kujtojmë se vitin e kaluar, Inspektorati Shtetëror Arsimor hetoi rastin e shkollës fillore “7 Marsi” në fshatin Çellopek të Tetovës, ku gjatë performancës nxënësit mbanin armë plastike dhe ishin të veshur me uniforma të UÇK-së. Njëra nga mësimdhënëset që organizoi manifestimin u konstatua përgjegjëse.

Në fund të nëntorit dhe fillim të dhjetorit të vitit 2024, në Maqedoninë e Veriut ndodhën një sërë ngjarjesh të cilat çonin në përplasje dhe nxitje të urrejtjes ndëretnike.

Nisma e ministres së Arsimit Vesna Janeva për hetim nga Inspektorat i Arsimit në këtë shkollë u konsiderua si ksenofobike nga partitë opozitare shqiptare në vend.

Kjo nismë ishte varg i ngjarjeve që ndodhën në Maqedoninë e Veriut pas 28 Nëntorit 2024 të cilat çuan në përplasje dhe nxitje të urrejtjes ndëretnike.

Për ngjarjet e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, u arrestuan 18 persona, katër prej të cilëve përfunduan në paraburgim 8 ditor, për shkak të grisjes së flamurit të Maqedonisë së Veriut dhe përfshirjes në rrahje.

Poashtu me 1 dhjetor, në Kumanovë u dogjën disa vetura, një objekt afarist dhe një fasadë shtëpie, të cilat u përkasin qytetarëve shqiptar.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com