Valmir Aziri
Partia jonë lindi nga një moment historik I pashlyeshëm, nga sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Që nga viti 2001, me themelimin e BDI-së, ky subjekt nuk ishte thjesht një parti politike, por mishërimi i idealit për liri, barazi dhe dinjitet kombëtar. Për më shumë se dy dekada, BDI ka qenë boshti i politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe garancia kryesore e përfaqësimit të shqiptarëve në pushtet. Ky kapital moral dhe historik është pasuria jonë më e madhe.
Por sot, ajo ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm. Shkaktarët e krizës janë të shumtë, por në vazhdim do ti shpalos disa që mendoj se ishin krucial dhe determinues për gjendjen ku ndodhemi sot.
Nga viti 2018 u imponua një lojë politike aspak korrekte ndaj funksionarëve të asaj kohe, gjegjësisht kërkoheshte të dëmtohet dhe luftohet politikisht njē ndër figurat më emblematike të UÇK-së dhe BDI-së, z.Hazbi Lika, betejë kjo që ndikoi shumë keq në moralin dhe mbështetjen politike të partisë në Pollog dhe më gjërë.
Pas kësaj u ribrendua partia, nga parti me themele në gjakun e dëshmorëve, u shëndrua në parti të gjelbërt dhe u instaluan figura ku ata njerëz që u sollën si “gjak i ri” dhe që do të sillnin frymë të re dhe energji për integrimin e partisë me popullin. Në vend të këtij vizioni, ata u shndërruan në faktorë përçarës, duke instaluar mentalitetin e përjashtimit, duke mbyllur dyert e bashkëpunimit me bazën dhe duke kthyer respektin e dhënë ndaj tyre në armë kundër vetë partisë.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kandidaturat për Tetovë dhe Gostivar u imponuan në kundërshtim të plotë me bazën, duke shpërfillur vullnetin e strukturave dhe zërin e anëtarësisë. Kjo solli humbje të sigurta dhe krijoi një hendek të thellë mes partisë dhe qytetarëve. Humbja në këto dy qytete nuk ishte thjesht rezultat elektoral, por një shuplakë e nxehtë që lidershipi i partisë fatkeqësisht nuk e mori si mësim. Përkundrazi, u tentua që me të njëjtën metodë të fitohen edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, gjë që solli humbje të pashmangshme. Sepse, siç thoshte Albert Ajnshtajni, “të presësh rezultat të ndryshëm duke vepruar njësoj është çmenduri”.
Nga viti 2020 deri në vitin 2024, vendimmarrjet arbitrare për emërimin e ministrave, zv.ministrave dhe drejtorëve, pa konsultim me organet e partisë, shkatërruan demokracinë e brendshme. U shkarkuan jo ata që dështuan në punë, por ata që ngritën zërin kundër rrënimit të demokracisë brenda partisë. Për herë të parë, partia jonë nuk luftoi me kundërshtarë të jashtëm, por me kuadrot e veta, të cilët u detyruan të krijojnë subjekt politik. Me largimin e z.Izet Mexhtit nga partia, iu dha goditja e dytë më e madhe BDI-së, që rezultoi të ishte fatale në kontekst politik për ne!
Procesi “një anëtar – një votë” u shndërrua në farsë. Pas kësaj farse, partia pesoi humbje të thellë për zgjedhjet e këshillit komunal në Tetovë, sepse nuk mund të luash demokracinë, ose i nënshtrohesh rregullave të saj deri në fund, ose veprimet autokratike sjellin përgjegjësi të pashmangshme. Degët dolën jofunksionale, anëtarësia e përçarë dhe humbjet e njëpasnjëshme në zgjedhje u bënë të pashmangshme. Humbja në Tetovë ishte simbolike, sepse qyteti ku shqiptarët shohin veten si qendër politike, i dërguan mesazh të qartë BDI-së.
Historia e fundit elektorale e BDI-së e ka një ironi të thellë. Votuesi shqiptar nuk iu bind urdhrave të selive. Në Saraj, Çair, Dibër e Tearcë, populli votoi me zemër, votoi figurat që partia kishte tentuar t’i eliminonte. Ky është një mesazh i qartë se sentimenti i popullit është ende i lidhur me BDI-në si simbol, por jo me akrobacionet dhe koaliconet jo të sinqerta. Votuesi tregoi se nuk njeh klanet, as manipulimet, por ndjen vetëm lidhjen e hershme emocionale me idenë e BDI-së.
Kriza nuk është fundi, por një shans për t’u rilindur, nëse kemi guximin të marrim vendime të mëdha. Ringritja e partisë nuk kërkon vetëm reforma organizative, por edhe një kthesë morale. Vendimarrjet duhet të kalojnë përmes organeve të partisë dhe kandidaturat të dalin nga baza, jo nga imponimi. Çdo humbje zgjedhore duhet të ketë autorë që mbajnë përgjegjësi publike dhe të ngrihet një komision i brendshëm për analizë të dështimeve. Duhet të hapet një proces pajtimi me kuadrot e përjashtuar dhe të rikthehen figurat me kontribut si garanci për unitet. Duhet tentuar me çdo kusht rikthimi i tyre dhe bashkimi me partitën e dalur nga BDI, siç është ajo e LD-së, sepse uniteti është më i vlefshëm se çdo ambicie personale. Marrëveshjet e ardhshme politike duhet të jenë mbi programe konkrete dhe jo mbi interesa të ngushta të pushtetit. Nuk mundet që “armiqtë” politikë të deridjeshëm, të cilët realisht kanë gryer imazhin e BDI-së për vite me radhë, tani për një moment të bëhen miqtë tanë dhe populli ta kapërdijë këtë pa pyetje. Sepse lind pyetja e drejtë, kur ishin seriozë kundërshtarët tanë politik, atëherë apo sot?
Po ashtu, duhet të hartohet një program i ri politik me orientim europian që vendos theksin te zhvillimi ekonomik, barazia shoqërore dhe integrimi euroatlantik.
BDI nuk është një parti si gjithë të tjerat. Ajo është bijë e UÇK-së dhe trashëgimtare e një ideali kombëtar. Por kjo trashëgimi nuk është garanci e përhershme. Humbja në Tetovë, në Çair dhe në komuna të tjera nuk është vetëm statistikë zgjedhore, por një sinjal alarmi se partia ka humbur lidhjen me popullin.
Nëse nuk ndryshojmë, historia do të na dënojë me shuarje, siç ka ndodhur me parti të tjera që nuk arritën të reformohen. Sot është momenti për të zgjedhur, ose një ringjallje mbi themelet e demokracisë dhe unitetit, ose një shuarje e ngadaltë duke humbur nderin e trashëgimisë së UÇK-së dhe besimin e popullit.
Përgjegjësi tani!
Reforma tani!
E ardhmja është në dorën tonë.