Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, komentoi protestën e opozitës që pritet të mbahet sot në orën 18:00 para Kryeministrisë.
Në një komunikim me gazetarët pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve në ambientet e kryesisë së Kuvendit Balla tha se Berisha proteston sa herë e thërret drejtësia duke e lidhur me thirrjen e tretë që kryedemokrati mori për t’u paraqitur në SPAK për 21 janarin.
“Sot SPAK i dorëzon më në fund, pas një situate më qesharake kur shkon te zyrat e PD dhe t’i çoj një zarf dhe sekretaria thotë; nuk e pranojmë apo dhe te selia e partisë e thonë; s’e pranojmë. Në 1998 kur i hiqej imuniteti, kishte protesta, kur nuk lejohej nga ambasadat, kishte protesta. Edhe sot kur zotëria thirret si person që ka dijeni, të gjithë jemi thirrur. Ka dhe kolegë të mi që shkojnë për çështje që ose janë nën hetim ose nën akuzë, kurse këta dashnorët e drejtësisë, kur vjen kërkesa për kolegët e mi, këta ta tregojnë ndër sy dhe thonë; ku është filani. Po ky pse nuk shkoi? Proteston kur të thërret drejtësia. Fati i këtyre dihet dhe zgjedhjet e radhës vijojnë”, tha Balla.