Kryeministri Edi Rama deklaroi se hapja e të gjithë grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Europian, ka një vlerë të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët që shkon përtej anëtarësimit formal në BE.

Në konferencën e përbashkët në Bruksel me ministren e Jashtme të Danimarkës dhe komisioneren e BE-së, Marta Kos, kryeministri Rama theksoi se rruga që ka kaluar Shqipëria për të arritir deri në këtë pikë me gjithë uljet dhe ngritjet e skepticizmin në radhët e BE ka të bëjë me krijimin e institucioneve të shtetit të së drejtës që i bën vendet e BE ato që janë.

“Jam i frymëzuar nga këto muaj dhe nga mbështetja e fortë që procesi i zgjerimit dhe i ribashkimit të Evropës po merr. Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, disiplinë dhe punë të madhe për të dhënë rezultate që ky proces që po ndërtojmë gur pas guri të mos ndalet. Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë dhe madje me ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër BE dhe anëtarësimin në BE më shumë sesa 90% e qytetarëve tanë. Jam i sigurt që ata shumë pak që janë në këtë përqindje të vogël që mbetet, thjesht nuk do të ketë qenë ditë e mirë kur është bërë sondazhi se vështirë të mendojë ndonjë shqiptar që mendon se anëtarësimi në BE nuk është ideja më e mirë dhe horizonti drejt të cilit duhet të synojmë për fëmijët tanë. Dua të shtoj se qoftë ajo mënyra e fortë dhe e butë me të cilën jemi përballur na ka mësuar: kurrë mos merr asnjë gjë të mirëqenë në Bruksel. Kur të buzëqeshin shijoje, por mos e merr të mirëqenë. Mund t’ju zhduket nga fytyra sa hap e mbyll sytë. Kështu vazhdo, puno fort dhe përgjigju me përulësi dhe rezultat. Këto dy gjëra janë ato gjëra që këta vlerësojnë më shumë”, tha Rama.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com