Ish-ministri i Vetëqeverisjes Lokale nga radhët e VMRO-DPMNE-së në qeverinë e Ljubço Georgievskit, Xhevdet Nasufi nga Struga, është personi që e ka raportuar drejtorin e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ilija Stojlev, për marrje ryshfeti – mëson jozyrtarisht portali Fokus.

Sipas informacioneve, në rast është e përfshirë edhe një punonjëse tjetër e Agjencisë, e afërt me drejtorin aktual, e cila dyshohet se ka qenë ndërmjetëse në gjithë historinë. Burime të gazetës pohojnë se deri tani janë arrestuar katër persona, por ekziston mundësia që të ketë arrestime të tjera.

Sipas të dhënave jozyrtare, bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme parash, ndërsa aksioni është zhvilluar pas një kallëzimi se Stojlev kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet nga një aplikant për t’i mundësuar fitimin e një kontrate për mbështetje financiare nëpërmjet programit IPARD. Pas denoncimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, aplikantit i janë dorëzuar banknota të shënuara, me ndihmën e të cilave drejtori është kapur në momentin e marrjes së parave.

Aksioni është realizuar nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OJO GOKK) në bashkëpunim me hetuesit e Qendrës Hetimore pranë prokurorisë dhe me ekipe të MPB-së.

Sipas informacioneve fillestare, janë kryer kontrolle në disa lokacione në mbarë vendin për shkak të dyshimeve të bazuara për aktivitete korruptive. Pasditen e sotme, ekipe nga Drejtoria e Policisë Financiare, MPB-ja dhe hetuesit kanë hyrë në zyrat e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com