Djali 10-vjeçar bëhet donatori i parë në historinë e shkollës “Imri Elezi” në Shkup – dhuron 5.000 euro nga aktivitetet në YouTube!
Një lajm i bukur dhe frymëzues vjen nga shkolla “Imri Elezi” në Shkup! Djali 10-vjeçar, Hunejsi, është shndërruar në donatorin e parë nga nxënësit në historinë e kësaj shkolle. Ai ka arritur të sigurojë 300.000 denarë (rreth 5.000 euro) nga aktivitetet e tij në YouTube, dhe me këto mjete ka mundësuar blerjen e kamerave të sigurisë për shkollën si dhe sistemin elektronik të identifikimit, që përdoret për hapjen e dyerve dhe regjistrimin e mësimdhënësve.
Dëshira e Hunejsit ka qenë të kontribuojë për shkollën e tij dhe të jetë shembull për bashkëmoshatarët, duke synuar t’i motivojë dhe frymëzojë të tjerët. Ai e ka dedikuar këtë vepër gjyshit dhe gjyshes së tij, si një shenjë dashurie dhe respekti për familjen.
Vetëm 10 vjeç, por me zemër të madhe dhe vizion të madh për të ardhmen, Hunejsi ka treguar se me vendosmëri dhe dashuri për familjen dhe shoqërinë, mund të arrihen gjëra të mëdha.
Ky gjest i tij fisnik ka prekur zemrat e të gjithëve dhe na mbush me krenari dhe shpresë për brezat e rinj.