Drejtori sportiv i Espanyolit, Fran Garagarza, ka pësuar atak në zemër dhe ndodhet në kujdes intensiv në spitalin Sant Pau në Barcelonë. Ngjarja ka ndodhur të martën, pasi mjeku i klubit ngriti alarmin.

Sipas raportimeve të Cadena Cope, Garagarza është ndier keq në shtëpinë e tij të martën në mëngjes dhe ka kontaktuar mjekun e klubit për t’u ankuar për gjendjen e tij. Mjeku ka njoftuar menjëherë shërbimet emergjente, të cilat kanë shkuar në shtëpinë e Garagarzës për t’i dhënë ndihmën e parë. Espanyoli e ka konfirmuar këtë më vonë me një deklaratë zyrtare.

Aktualisht, Garagarza ndodhet në gjendje të qëndrueshme në repartin e kujdesit intensiv dhe është nën vëzhgim. Ai pritet të qëndrojë aty për 48 orët e ardhshme, ndërsa stafi mjekësor do të monitorojë gjendjen e tij për të përcaktuar më pas trajtimin e nevojshëm.

Sipas Mundo Deportivo, Garagarza ka qenë i vetëdijshëm gjatë gjithë kohës, dhe njerëzit e afërt me të kanë dërguar një mesazh qetësues, edhe pse me kujdes e maturi. Pas incidentit, kreu i grupit pronar të Espanyolit, Alan Pace nga Velocity Sports Limited, ka qenë ndër të parët që ka dërguar një mesazh mbështetjeje dhe ka shprehur shqetësimin e tij për situatën.

56-vjeçari pritet të jetë në fazë rikuperimi për disa javë, ndërsa Unai Ezkurra (analist i të dhënave) dhe Ander Garitano (asistent) do të marrin përkohësisht detyrat e tij.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com