45 pelegrinë indianë kanë humbur jetën pasi autobusi me të cilin po udhëtonin mori flakë gjatë një aksidenti pranë Medinës në Arabinë Saudite, kanë bërë të ditur autoritetet e qytetit indian Hyderabad.

Autobusi kishte 46 pasagjerë, tha VC Sajjanar në një konferencë për media, duke shtuar se një burrë i cili ka mbijetuar aksidentin është dërguar në kujdes intensiv në një spital lokal.

Shumica e viktimave janë nga Hyderabad-i, në shtetin jugor Telangana.

Pelegrinët po udhëtonin nga qyteti i shenjtë i Mekës drejt Medinës kur ndodhi aksidenti, bëri të ditur qeveria e Telanganës në një deklaratë, raporton BBC.

Ata kishin shkuar në Arabinë Saudite për pelegrinazhin Umrah, një version më i shkurtër i Haxhit, pelegrinazhit më të madh islam.

Sajjanar deklaroi se në aksident ishte përfshirë edhe një cisternë nafte, por nuk dha më shumë detaje.

Kryeministri indian Narendra Modi tha në një postim në X se ishte “thellësisht i tronditur” nga lajmi për aksidentin dhe se autoritetet indiane janë në kontakt të ngushtë me zyrtarët sauditë.

“Ambasada jonë në Riad dhe Konsullata në Xheda po ofrojnë të gjithë ndihmën e mundshme,” shkroi ai.

Dhoma të posaçme ndihme janë ngritur në Xheda dhe Hyderabad për të asistuar familjet e viktimave.

Asaduddin Owaisi, përfaqësues i Hyderabadit në parlamentin indian, i tha agjencisë ANI se i kishte kërkuar qeverisë federale ndihmë për kthimin e trupave të viktimave në Indi.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com