Nga: Alpin Ollogu
Nga riaktualizimi i disa përgjimeve mes funksionarëve publik, përgjime ilegale të dala nga afera e përgjimeve e vitit 2015, edhe njëherë faktohet se si ka funksionuar, e me gjasë si funksionon sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Kur palët e një procesi gjyqësor janë të veshur me pushtet politik, qeverisës, ose biznesmene të ndryshëm – ushqyes financiar të partive politike (qeverisëse), dhe jo vetëm, që nga pronarët dhe udheheqësit e shoqërive aksionare, e deri te biznesmenët e ndryshëm me influence financiare në grupe të caktuara interesi, sigurohen aktgjykime të gjykuara jashtë dyerve të drejtësisë. Gjykata vendos aktgjykimin vetëm në aspekt formal, ndërsa drejtësia për këto palë gjykuese përcaktohet me standarde tjera, të ndryshme nga ato që zbatohen për shumicën e qytetarëve.
Përgjimet ilegale janë pasqyrë e gjendjes së përgjithshme në sistemin e drejtësisë, në atë drejtësi ku procedurat penale ndaj pronarëve dhe udhëheqësve të shoqërive aksionare zvarriten qëllimisht për 7-8 vite në gjykatat kompetente të Kërçovës dhe Gostivarit, ndonëse ligjërisht ato duhet të përfundojnë brenda një afati prej tre muajsh. Pas gjithë këtyre viteve të zvarritjes, procedurat penale shpesh përfundojnë pa asnjë vërtetim të qëndrueshëm, duke u mbështetur në argumente të dobëta dhe të pabazuara në ligj. Mohimi i veprave të rënda penale është si mohimi i pranisë së një elefanti të madh në një dhomë të vogël.
Ndërkohë, Këshilli Prokurorial nuk mban as minimumin e përgjegjësisë ndaj prokurorëve, megjithëse vetëm zvarritja 7-8-vjeçare për të vendosur mbi paraqitjen penale të një pale do të duhej të konsiderohej mosveprim plotësisht antiligjor, madje rast për në “Guinness”, e jo më arsyetimet mjerane e mosngritjes së veprës penale nga ana e prokurorëve. Në një sistem ku gjykatat e Dibrës dhe Kërçovës interpretojnë dhe gjykojnë kontratat sipas interesave të lidhjeve biznesore e politike me sistemin, ku dëshmitë e rreme kalojnë pa asnjë pengesë në sallat e gjyqit, dhe ku kriminaliteti në shoqëritë aksionare, që nga blerja e aksioneve dhe prejardhja e mjeteve financiare, e deri te drejtimi kriminal i vetë shoqërisë, blihet dhe mbulohet me heshtje. Eksponimi i përgjimeve ilegale shërben si një pasqyrë që rishtazi dëshmon kalbësinë e drejtësisë.
Për vite me radhë kemi shkruar dhe alarmuar për kriminalitetin në gjyqësor, përgjimet ilegale thjesht e kanë bërë më të dukshëm, ju kanë shfaqur edhe njëherë ujkun para syve atyre që gjithmonë janë në kërkim të gjurmëve, për të shmangur atë që sduan të shohin, për të pranuar atë që nuk u shkon për shtati. Çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi, nga përvoja e tij personale apo familjare, e ka ndjerë në lëkurë goditjen e sistemit ndaj së drejtës. Shurdhmemecëria e kësaj padrejtësie, ështe krim në vete. Palët e veshura me pushtet financiar dhe politik kanë ngadhënjyer në dyert e prokurorive dhe gjykatave, e këtë e kanë paraqitur triumf, fitore. Në të vërtetë nuk është fitore, është mashtrim.
Qytetarët e ndershëm tashmë ndihen pothuajse të pashpresë. Nëse situata e gjyqësorit vazhdon me te njejtën mënyrë, të varfërit e ndershëm do të vazhdojnë të përfundojnë në burgje pa gjyqe të vërteta, vazhdojnë sagën e vuajtjeve në ndjekje penale dhe qelitë e ftohta. Të ndershmëve do tju meren pronat dhe pozitat, ndërsa shumë të tjerë do të detyrohen të migrojnë jashtë vendit për të mbijetuar. Ndërkohë, të pushtetshmit e parasë dhe të politikës, ata të pandershmit, ndërtojnë oazën e tyre të lumturisë mbi kurrizin e kësaj drejtësie të përkulur para padronëve të pasurisë dhe pushtetit.
E kush është ky “kurriz i përulur” i drejtësisë? Është nepotizmi dhe familjarizimi brenda gjyqësorit, janë emërimet dhe avancimet politike në gjyqësor e prokurori. Është kontrolli që ushtrojnë Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, të kthyer në kamxhik të pushtetit për të disiplinuar edhe ata gjyqtarë e prokurorë që nuk i binden urdhrave politik, ata që përpiqen të bëjnë drejtësi të vërtetë. Por ky “kamxhik” u vështirëson punën dhe i ndëshkon sa herë që përpiqen të zbatojnë ligjin me profesionalizëm dhe paanshmëri.
Vetëm e nesërmja e një qeverisjeje me vullnet politik të drejtë, e një Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial të pavarur, me integritet dhe profesionalizëm, të monitoruar edhe nga faktori ndërkombëtar, mund të fillojë ta vendosë drejtësinë në shinat e saj të vërteta. Gjithmonë paraprirë nga një ligj për vetingun e prejardhjes së pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili do ta ndante njëherë e mirë shapin nga sheqeri në sistem, pa kompromise dhe pa teatro me fatin e qytetarëve që kërkojnë drejtësi në portat e “zaptuara nga djalli”, portat e pushtetit gjyqësor.