Kombëtarja U19 e Maqedonisë së Veriut, do të marrë pjesë në turneun kualifikues për fazën elitare të Kampionatit Evropian që do të zhvillohet nga 12 deri më 18 nëntor në Portugali. Përfaqësuesja jonë është pjesë e një grupi jashtëzakonisht të vështirë, ku përballë do të ketë Portugalinë pritëse, Belgjikës së fortë dhe Estonisë informon Tetovasot.
Trajneri i mirënjohur Erhan Selimi, i cili në periudhën e fundit ka fituar vlerësime të shumta për punën e tij me gjeneratat e reja, ka përzgjedhur një listë premtuese lojtarësh që përfaqësojnë vendin në këtë sfidë ndërkombëtare.
Selimi, i cili ka ndërtuar një filozofi moderne loje dhe ka përmirësuar dukshëm disiplinën taktike e teknike të ekipit, thekson se pavarësisht vështirësive, skuadra është e gatshme për të dhënë maksimumin.
“Grupi është shumë i fortë. Portugalia dhe Belgjika janë favoritët për dy vendet e para që sigurojnë kalimin në fazën tjetër. Megjithatë, ne nuk ndihemi si autsajderë. Kombëtarja jonë ka bërë përparim të madh, si në aspektin e lojtarëve ashtu edhe të rezultateve. Do të hyjmë në çdo ndeshje me besim dhe karakter,” deklaroi trajneri Erhan Selimi.
Ai shtoi se pavarësisht mungesave të disa lojtarëve për shkak lëndimesh, grupi është i motivuar dhe i bashkuar:
“Fatkeqësisht, Gorazd Ristovski dhe Stefan Mladenovski nga Ylli i Kuq nuk do të jenë pjesë e turneut, por ekipi është gati të tregojë shpirt garues dhe të përfaqësojë vendin me krenari.”
Maqedonia U19 do ta hapë turneun më 12 nëntor kundër Belgjikës, më 15 nëntor do të përballet me Portugalinë pritëse, ndërsa më 18 nëntor do të luajë kundër Estonisë.
Dy ekipet e para nga secili grup dhe një ekip më i mirë i vendit të tretë do të sigurojnë një vend në Fazën Elite të Kualifikimeve të Kampionatit Evropian.
Puna e Erhan Selimit me talentet e reja po vlerësohet si një prej historive më të suksesshme të futbollit të të rinjve në vend, me synim që kjo gjeneratë të jetë baza e ardhshme e Kombëtares A.TS
