Detaje të reja janë zbuluar rreth vdekjes tragjike të 41-vjeçarit nga Llapi, Burim Havolli, i cili vdiq më 12 nëntor në Bruklin të New Yorkut.

Ndonëse mediat në ShBA, si NBC News e të tjera, raportuan se Burim Havolli u vra, familja e të ndjerit thotë tjetër version.

Burime të afërta të Klanit me familjen Havolli, bëjnë të ditur se Burimi kishte marrë lëndime nga një i dyshuar që tentoi të vidhte në hollin e ndërtesës, ku viktima ishte mbikëqyrës.

Gjithmonë sipas burimeve, Burimi ishte marrë në pyetje nga policia për rastin, dhe kur kishte mbërritur në shtëpinë e tij, pas një dushi që kishte bërë, ishte rrëzuar në tokë dhe rrugës për në spital ka vdekur.

Klankosova.tv ka tentuar të kontaktojë familjarët e tij, por deri në momentin e raportimit, ka qenë e pamundur të merret një prononcim.

“Ai e donte këtë vend”

Blerim Havolli, vëllai i viktimës, po qante ndërsa fliste për mënyrën se si të dy i mbijetuan luftës së Kosovës në vitin 1999 dhe ikën në Amerikë për një jetë më të mirë.

“Ai e donte këtë vend. Ky vend na ndihmoi shumë”, tha Blerim Havolli për CBCNews.

“Nuk ka fjalë që mund ta shpjegojnë. Kjo është e trishtueshme. Ai la pas tre [fëmijë] dhe ishte vetëm 41 vjeç”, tha nga ana tjetër Petrit Havolli, një kushëri.

Vëllai, Blerimi, tha se familja po e përballon rëndë vdekjen e Burimit.

“Nuk është e lehtë të rritësh tre fëmijë… 2 vjeç dhe djali vazhdon të pyesë se çfarë po ndodh, pse ka kaq shumë njerëz këtu. ‘Ku është babai im? Telefonojeni, telefonojeni’”, shtoi Blerim Havolli.

“[Ai ishte] shumë i kujdesshëm, gjithmonë aty për të gjithë qiramarrësit e tij, shumë punëtor”, tha banori Alexis Potter.

Në kujtim të Burim Havollit, holli i ndërtesës së tij ishte ndriçuar me qirinj dhe zbukuruar me lule, dhe ishte vendosur një tabelë ku shkruhej: “Me mirënjohje për gjithçka që bëtë dhe me pikëllim për humbjen tuaj”.

Vjedhja e pakove në ndërtesë, një “problem i vazhdueshëm”, thotë qiramarrësi

Një qiramarrës foli gjithashtu me lavde për Burim Havollin dhe i tha CBS News në New York se vjedhja e pakove është një problem në ndërtesë, duke shtuar se madje është vendosur një tabelë për të paralajmëruar njerëzit për këtë.

“Ai ishte si personi kryesor ku shkoje. Diçka nuk funksionon, e telefononim. Ai ishte thjesht shumë i sjellshëm dhe i kujdesshëm”, tha banori Alexis Charles.

“Ai ishte jashtëzakonisht profesional. Çdo gjë që duhej bërë, ai e bëri”, tha banori tjetër Jeff Fisher. “Ky është një problem i vazhdueshëm në këtë ndërtesë, kështu që kjo të ndodhë, është vërtet një tragjedi”.

“Kam parë një rritje të krimit, njerëz që vjedhin pako, njerëz [të inkurajuar] dhe nuk u intereson”, tha Gail Seton, pronari i ndërtesës ngjitur.

“Ai vdiq duke mbrojtur ndërtesën, duke mbrojtur pakot e qiramarrësve”, tha Blerim Havolli.

Johnny Garcia punoi në ndërtesë së bashku me Burim Havollin për 17 vjet dhe tha se e konsideronte atë vëlla.

“Ne ishim bashkë çdo ditë”, tha Garcia. “Nuk kam fjalë për këtë që ndodhi”.

Familja e viktimës tha se planifikojnë të dërgojnë eshtrat e tij në vendlindjen e tij, në Kosovë, ku dhe do të varroset.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com