Nga Arian Galdini

E shkruaj këtë nderim si i djathtë dhe opozitar ndaj së majtës, me bindjen se respekti për kundërshtarin është themeli i qytetarisë politike, pasi kur kundërshtari nderon kundërshtarin, nis një qytetërim i ri që e vë dinjitetin mbi kampin dhe tonin mbi trysninë e çastit.

Në prill – majin e vitit 2012 pata fatin ta njoh nga afër. Ai më ftoi të koordinoja fushatën e tij për President, ndërsa muret politike rrotull rrinin të ftohta e dritaret e mbështetjes të mbyllura.

Tridhjetë ditë mjaftuan që përballë meje të shfaqej një mendje e rregullt, tejet inteligjente dhe një zemër e qetë, një njeri i ditur që zbuste çdo tension me humor të hollë, që përgatiste bisedën me gjeste njerëzore, rregullonte me kujdes karrigen e bashkëbiseduesit, vendoste filxhanin e kafesë në mes të tavolinës, e pastaj i hapte vend arsyes.

Aty mësova një ritëm të ri, fjalë të peshuara, vështrim i kthjellët, respekt i pandërprerë për tjetrin.

Prej asaj përvoje u kristalizua koncepti që e quaj Anomalia e Mirë, prani që ul temperaturën e konfliktit dhe rrit temperaturën e mendjes, kulturë përfshirjeje që kthen kundërshtarin në bashkëbisedues, qetësi aktive që e shndërron institucionin në hapësirë qytetare e jo në sallë komandash.

Këtë e përkufizoj si Ligjin e Qetësisë Shqiptare, kur sa herë zëri ngrihet lart, aq më e domosdoshme bëhet qetësia e mendjes, sa herë pushteti zgjerohet, aq më i butë duhet të jetë toni që e mban, sa herë konflikti ashpërsohet, aq më i gjerë duhet të jetë rrethi i përfshirjes që e shuan.

Ky ligj nuk rron te parullat, ushqehet me sjellje të përditshme dhe fiton formë në mënyrën si ulesh, si dëgjon, si e përkthen fjalën në punë.

E them pa ngurrim se kur hyn drita e maturisë në një dhomë, sendet ndërrojnë emër dhe gjuha gjen pulsin e saj.

Ky është sekreti që pashë te Fatos Nano, fjala e tij e ulte zemërimin, e çlironte mendimin, e kthente tryezën në vend pune. Qetësi. Pastaj veprim.

Në trupin e sjelljes së tij qendronin pesë vlera të pandara, ton i arsyes që mban ritmin e fjalës, dritare përfshirjeje që i jep vend edhe mendimit të kundërt, kompromis si urtësi që ngrihet mbi parime e merr frymë gjatë, normalizim i tensionit që e kthen debatin në punë e jo në gjestikulacion, liri e brendshme që rrumbullakon autoritetin me mirësjellje e mban pushtetin nën disiplinën e karakterit.

Këto vlera nuk kërkojnë asnjë fjalë shtesë, sepse marrin jetë në skenat e vogla të një dite pune dhe në mënyrën si i hapet udhë argumentit pa e lodhur askënd.

Në mes të atij tridhjetëditëshi ndodhi një çast që mbeti si kulm i tensionit emocional.

Skena politike shqiptare në atë prill – maj 2012, gumëzhinte, e aty në mes Fatos Nano si një zë i vrullshëm që kërkonte hapësirë.

E kujtoj sesi ai hiqte e vendoste syzet ngadalë, e ngrinte dorën lehtë, dëgjonte këdo deri në fund e më pas çuditërisht bënte një pushim aq të shkurtër sa një rrahje zemre, teksa mendohej para se të fliste. Pastaj thonte një shprehje që më ka mbetur në mendje: “E mora me gjithë zemrën tënde. Tani ta përkthejmë në punë.”

Një fjali që mbyllte një spirale nervash dhe hapte një urë. Aty fjala bëhej dëshmi.

Dua të pranoj edhe një përfshirje komsiderate dhe emocioni personal, një valë spontaneiteti që i shpëton kontrollit, pasi te ai gjeta qetësinë që më duhej si njeri para se të jem zë e veprimtar publik.

Ky është biznesi i vërtetë i maturisë, ta zbresë politikën nga podiumi i patosit tek tryeza e urtësisë, aty ku shpirti përkthen detajet në fisnikëri.

Mjafton një karrige e vendosur drejt, një filxhan i ndarë në mes, një fjali që ngre ritmin e mendjes.

Figura e anomalisë së mirë e ndriçon bukur këtë trashëgimi. Anonalia e mirë, Fatos Nano qëndron te qoshja e politikës shqiptare, e sfidon pa zhurmë, e udhëzon pa imponim.

Aq sa dha ndryshe, shembulli i tij bie mbi fytyrat e politikanëve të së sotmes, mbi ministrin që kthehet natën me bilancin e urdhërave të zbatuar nga Shefi, mbi deputetin që e di që ka mandat por ska asnjë peshë e vlerë, mbi Kryetarin e Opozitës që i duhet të ketë pëballë një kundërshtar që e asimilon dhe përpin, mbi Kryeministrin që nuk ngopet së fituari vetë e poshtëruari këdo tjetër.

Të gjithë e lexojnë atë shembullin e anonalisë së mirë, secili sipas rolit e karakterit të vetë.

Kështu metafora bëhet universale, me shembullin e një njeriu që u shfaq si lidership që e mban busullën të qetë dhe lë diçka që asnjë politikanët e së sotmes nuk e ka.

Nga ky kënd e shoh Fatos Nanon edhe me dimensionin tim ideologjik, nga qartësia ime si një i djathtë që i qendron opozitës ndaj së majtës, megjithatë i jep kundërshtarit nderimin e merituar.

Ky akt rrit nivelin e lojës e rafinon bindjen, se demokracia gjallon me rregulla e jo me tifozëri, me argument e jo me thirrje, me sjellje e jo me gjeste të zbrazëta.

Qetësia është ligj estetik universal dhe i shpëton forcës për ta mbajtur mendjen gjallë.

Kështu e lexoj Ligjin e Qetësisë përtej kufijve të një biografie.

Fatos Nano mbetet shembullzues i një anomalie të mirë, si shembullzues i qëndrueshëm në kujtesën politike të vendit, si ton i arsyes, qetësi që kërkohet e nevojitet kaq shumë e si sjellje që toleron e pëfshin, nuk zhbën.

Në heshtjen e arsyes fillon qytetërimi.

Heshtja e arsyes s’është mungesë zëri, është hapësira e domosdoshme ku qetësohet impulsi dhe merr frymë mendimi. Në këtë pauzë të brendshme, faktet shihen pa mjegull, zemra gjen ritmin e saj të butë, fjala humbet teprinë dhe fiton masën.

Prej kësaj mase lind vendimi i drejtë, nga vendimi i drejtë ndërtohet rregulli i sjelljes së përbashkët, dhe te ky rregull gjen strehë dinjiteti i secilit.

Kështu qetësia nuk mbetet vetëm gjendje, bëhet metodë, e vendos arsyen përpara egos, e rikthen debatin në punë, e kthen bashkëjetesën në marrëveshje që mban gjatë.

Kur zgjedhim qetësinë si ritëm të mendjes dhe të gjuhës, themelojmë vetvetiu rregullin që na bashkon, dhe aty fillon qytetërimi.

Lamtumirë anomalia e mirë Fatos Nano.
Lamtumirë mik.

Arian Galdini

(Ps: Kjo është e vetmja foto që unë kam me Fatos Nanon nga ato 30 ditë që bashkëpunuam e u miqësuam në prill – maj 2012.)

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com