Gjyqtaria Grujevska Ilievska hap procesin gjyqësor për tragjedinë në “Pulse” me paralajmërim për disiplinë dhe transparencë

Me një fjalim hyrës dhe të qartë, gjyqtarja Dijana Grujevska Ilievska sot hapi procesin më të ndjekur gjyqësor në vend – gjyqin për tragjedinë në diskotekën “Pulse” në Koçan. Ajo theksoi se prej muajsh emri i saj përmendet në opinion, por se sot u prezantohet për herë të parë formalisht të gjithë të pranishmëve, duke paralajmëruar një proces transparent.

“Unë jam Dijana Grujevska Ilievska, ndërsa zëvendës gjyqtar do të jetë Ahmet Idirzi. Këshilli do të përbëhet nga edhe katër gjyqtarë porotarë – tre të rregullt dhe një zëvendës”, tha ajo në fillim, duke theksuar se nga këshilli gjykues do të kërkohet disiplinë maksimale dhe respektim i procedurave.

Ajo sqaroi se përfaqësuesit e palëve të dëmtuara nuk janë ftuar, sepse nuk ishte e qartë se cilët do të paraqiteshin si përfaqësues të tyre, sidomos ata që mund të jenë edhe dëshmitarë në proces.

“Çdo shtyrje dhe çdo kërkesë për shtyrje do të kontrollohet nga këshilli. Nëse vlerësojmë se është e panevojshme – do të pasojnë sanksione,” paralajmëroi gjyqtarja, duke dhënë një mesazh të fortë se gjykata nuk do të lejojë obstruksione dhe zvarritje të procedurës.

Në fjalën e saj, Grujevska Ilievska u ndal edhe te dhimbja e familjeve të viktimave:
“E di dhimbjen. Të gjithë jemi prindër. Respekt për trishtimin që mbajnë prindërit. Por ne duhet të mbetemi profesionalë dhe të respektojmë të drejtat e të gjithëve që janë këtu.”

Ajo garantoi se të gjitha provat e propozuara do të shqyrtohen, përveç atyre që këshilli do t’i vlerësojë si të parëndësishme.

Në pyetjen se sa mund të zgjasë procesi, gjyqtarja ishte e drejtpërdrejtë:
“Nuk mund ta dijë askush. Ndoshta pesë muaj, ndoshta pesë vjet. Por unë tani nuk dua të paragjykoj. Do të arrijmë te e vërteta dhe drejtësia.”

Me këtë mesazh, gjyqtarja dha një sinjal të qartë se procesi gjyqësor do të zhvillohet rreptësisht, profesionalisht dhe pa kompromise, ndërsa në sallë mbizotëron një atmosferë e tensionuar dhe interes i madh nga publiku dhe familjet e viktimave.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com