Në orën 07:00 të mëngjesit ka nisur votimi për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të tetat me radhë që nga pavarësia e vendit.

Qytetarët votojnë për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, në gjithsej 1.771 vendvotime.
Të drejtë vote kanë 1.013.375 qytetarë, prej të cilëve 474.304 janë votues në Qytetin e Shkupit.

Një ditë para zgjedhjeve, të drejtën e votës e ushtruan të burgosurit, personat në arrest shtëpiak, të sëmurët dhe personat e pafuqishëm, si dhe banorët e shtëpive të të moshuarve.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) njoftoi se vlerësimet e para për ecurinë e votimit dhe për daljen në zgjedhje do t’i publikojë në konferencën e orës 09:30.

Rezultatet e para jozyrtare nga raundi i dytë i zgjedhjeve lokale pritet të shpallen nga KSHZ rreth orës 23:00.

Në raundin e parë më 19 tetor u zgjodhën 44 kryetarë komunash dhe këshillat komunalë në pothuajse të gjitha komunat, përveç në Shuto Orizare, ku sot në tre vendvotime po zhvillohet rivotim.

Në komunat Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë nuk po mbahet votim për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve. Në këto komuna, procesi i votimit do të përsëritet brenda 60 ditëve pas përfundimit të zgjedhjeve lokale.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com