Sekretari Organizativ i Aleancës për Shqiptarët, Gadaf Uzairi, ka shpërndarë një mesazh publik ku shpreh mirënjohje ndaj të gjithë atyre që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij politik dhe thekson përkushtimin e tij të pandryshuar ndaj partisë dhe idealeve kombëtare.
“Të nderuar shokë, miq, dashamirë dhe mbi të gjitha familjarë. Ju që më keni mbështetur gjatë gjithë ecjes sime politike në Aleancë, dua t’ju falënderoj nga zemra për besimin dhe përkrahjen e sinqertë që më keni dhënë,” shkruan Uzairi, duke theksuar se mbetet i njëjti si në ditën e parë.
“Nuk kam ndryshuar dhe nuk kam për të ndryshuar as në qasje, as në qëndrim. Sepse karakteri nuk blihet dhe as shitet. Jam rritur të jem vetvetja, i drejtë dhe i pastër,” shton ai.
Në reagimin e tij, Uzairi flet edhe për zhgënjimin që ka ndjerë ndaj disa bashkëpunëtorëve që, sipas tij, kanë zgjedhur rrugën e interesit personal. “Politika për ta u bë pushtet dhe përfitim personal. Por ai që e ndërton karrierën mbi interes, përfundon pa vlerë dhe pa derë ku të trokasë. Koha do ta dëshmojë këtë,” thekson ai.
Sekretari Organizativ thekson se nuk është në politikë për pushtet apo përfitime materiale, por për ideal dhe dinjitet. “Mirëqenien e familjes sime e kam ndërtuar me djersën e ballit dhe me dinjitet, prandaj jam i fortë në qëndrimin tim. Nuk di të përkulem dhe as të jem zvarranik. Nuk më tund as premtimi, as karrigia.”
Në fund, Uzairi deklaron se do të qëndrojë në Aleancën për Shqiptarët deri në fund, duke besuar në vizionin e Arben Taravarit dhe në rrugën e dinjitetit që partia përfaqëson.
“Unë kam qenë në Aleancë që nga dita e parë dhe do të jem deri në fund. Sepse besoj në idealin për shqiptarët dhe në vizionin e Arben Taravarit. Dhe këtu, tek shtëpia jonë, gjithmonë do të ketë vend për ata që e kërkojnë rrugën e dinjitetit. Me kokën lart. Me zemër të pastër. Me besim në të vërtetën,” përfundon Gadaf Uzairi./TS