Deponia e Shkupit “Drisla” është në gjendje jashtëzakonisht të keqe, dhe ne do të punojmë fuqishëm për ta transformuar sipas modelit të qendrave moderne rajonale për trajtimin e mbeturinave në Europë, tha sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Në fjalimin e tij në punëtorinë ekspertësh për krijimin e vendeve të punës “të gjelbra” në Maqedoni, Gjorgjievski theksoi se vendi duhet të angazhohet maksimalisht në ndarjen e mbeturinave dhe shfrytëzimin më efektiv të tyre si burim i ripërdorshëm.
Kryetari i qytetit rikujtoi se menjëherë pas marrjes së funksionit të ri, ai nisi aksionet për pastrimin e Shkupit.
“Që në fillim të mandatit tim i kushtova vëmendje maksimale rregullimit të situatës me mbeturinat dhe çrregullimet në kryeqytet, një problem që kishte vite me rradhë. Jam i bindur se Shkupi, por edhe komunat e tjera, në bashkëpunim me Qeverinë do të fillojnë të menaxhojnë mbeturinat në mënyrë shumë më të mirë dhe më efikase,” nënvizoi Gjorgjievski.
Ai potencoi rëndësinë e organizatave joqeveritare që merren me mbledhjen, ndarjen dhe trajtimin e mbeturinave.
“Si shembull mund të përmend vendosjen e kontejnerëve specialë për ndarjen e qelqit, plastikës, letrës dhe materiale të ngjashme. Një përvojë interesante është vendosja e makinerive për riciklimin e shisheve plastike në shkolla fillore, mundësia për të paguar parkimin duke dorëzuar shishe, si dhe shembulli në Kisella Vodë për vendosjen e kanteve për ndarjen e mbeturinave në hyrjet e pallateve,” theksoi kryetari i qytetit.
Duke u ndalur tek punëtoria, ai shprehu shpresën se një pjesë e mirë e përvojave të ekspertëve austriakë do të aplikohet edhe në Shkup.
Ky ishte paraqitja e parë publike e Gjorgjievskit pas marrjes së funksionit të kryetarit të Shkupit.
Punëtorinë “Krijimi i vendeve të punës të gjelbra në Maqedoninë e Veriut” e organizojnë Ministria Austriake e Punës, Çështjeve Sociale, Shëndetësisë, Kujdesit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ambasada e Austrisë në Shkup.