Kryetari i ri i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi se është përballur me një sfidë më të madhe se sa kishte pritur, duke theksuar se borxhi real i qytetit dhe ndërmarrjeve publike e tejkalon ndjeshëm vlerësimin fillestar të tij.

“Me gjasë sfida ime është më e madhe nga ç’e mendoja para zgjedhjeve në lidhje me borxhin. Prisja që borxhi i qytetit të ishte rreth 200 milionë euro, por me ndërmarrjet publike, sipas llogaritjeve tona, doli se borxhi total do të jetë mbi 300 milionë euro. Kështu që do të duhet një angazhim më serioz, por kjo është një sfidë shtesë, siç e përmenda”, tha Gjeorgjevski.

Reagoi ish-kryetarja e qytetit, Danela Arsovska. Përmes një postimi në Facebook ajo e ftoi Gjorgjievskin publikisht t’i nxjerrë të gjitha të dhënat që i posedon, duke e akuzuar për gënjeshtra dhe punësime partiake.

“Hajde kryetar, publikoji të gjitha kompanitë me borxhe sipas institucioneve, me fatura dhe data që populli të dijë se po gënjen. Po ashtu, publiko me emër e mbiemër të gjithë 500 të punësuarit dhe prej kur nuk kanë shkuar në punë, që të shihet përsëri se po gënjen. Për tri vite, për një kafshatë bukë, të gjithë ata që shkonin në punë i ke përzënë për t’u bërë vend ushtarëve të tu partiakë”, deklaroi Danela Arsovska.

Pas deklaratave publike të Gjorgjievskit se Prokuroria duhet të veprojë “sipas informacioneve të dëgjuara” për gjendjen në qytet, reagoi edhe Prokurori i Përgjithshëm Shtetëror, Lupço Kocevski. Ai i kujtoi kryetarit se nëse posedon prova për krim, detyrimi i tij është t’i raportojë ato në institucionet kompetente.

“Sa i përket deklaratave të kryetarit se Prokuroria duhet të veprojë sipas zërit të dëgjuar, mund të them vetëm se ai, si kryetar, nëse ka prova, është kompetent t’i raportojë ato te organet përkatëse – në MPB – dhe t’i sjellë ato dokumente eventualisht edhe në Prokurori. Deri më tani, Prokuroria ka vepruar në këtë mënyrë, që do të thotë se do të vazhdojë të veprojë edhe më tej. Nëse me të vërtetë ka keqpërdorime, ne nuk kemi asnjë problem – jemi në dispozicion”, u shpreh Kocevski.

Në një paraqitje televizive për Sitel mbrëmë, Gjorgjievski tha se ka larguar 500 të punësuar nga ndërmarrjet publike, sepse për muaj apo edhe vite nuk kishin shkuar në punë, por merrnin pagë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com