Opinion nga analisti Qenan Aliu

Analisti juridik Qenan Aliu ka rikujtuar rëndësinë e respektimit të Konventës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, me theks të veçantë për rastin e Gostivarit, ku ende diskutohet se kush duhet ta udhëheqë komunën deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Aliu thekson se normat e Konventës shpërfaqin frymë të qartë liberale drejt autonomisë së pushtetit lokal, duke garantuar që organet përfaqësuese lokale të kenë të drejtë mbikëqyrjeje në detaje vetëm për kompetencat e deleguara nga qeveria. Por, sipas tij, Qeveria nuk mund të ndërhyjë në kompetenca që janë të sanksionuara me ligj si përgjegjësi e pushtetit lokal.

“Qeveria mund të ndërhyjë vetëm në rast se akti i pushtetit lokal nuk është i bazuar në ligj. Në të kundërtën, çdo suspendim apo interferim nga ana e Qeverisë do të përbënte mosrespektim të Konventës, e cila është e ratifikuar nga Kuvendi i RMV-së dhe është pjesë e sistemit juridik të vendit”, shkruan analisti Aliu, me dedikim për rastin e Gostivarit.

Ai kujton se kjo praktikë ka edhe precedent ligjor, duke përmendur rastin e Komunës së Shtipit në vitin 2020, kur kryetari i zgjedhur mori postin e ministrit të Transportit dhe Lidhjeve në Qeverinë Zaev.

“Në tetor të vitit 2020, në Komunën e Shtipit, pas emërimit të kryetarit në detyrë si ministër, Këshilli komunal zgjodhi ushtrues detyre të kryetarit deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në dhjetor të po atij viti,” kujton Aliu.

Sipas tij, ky precedent dëshmon qartë se kompetenca për të caktuar ushtrues detyre i takon Këshillit Komunal, jo Qeverisë, përderisa aktet lokale janë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com