Presidenti francez Emmanuel Macron përsëriti të premten gjatë vizitës së tij në Meksikë se Xhevahiret e Kurorës të vjedhura nga muzeu i Luvrit do të gjenden dhe u zotua të rishikojë sigurinë e muzeut në Paris.
“Kemi filluar të arrestojmë një pjesë të bandës që kreu këtë vjedhje. Xhevahiret do të gjenden, autorët do të arrestohen dhe do të gjykohen”, u zotua kreu i shtetit francez në deklaratat që bëri për rrjetin televiziv Televisa gjatë turneut në Amerikën Latine.
“Është një mundësi për të dalë edhe më i fortë nga ajo që ndodhi dhe ishte një tronditje për të gjithë botën”, tha Macron.
Më 19 tetor, kriminelët arritën të hynin në muzeun e Luvrit dhe të vidhnin disa bizhuteri të çmuara me vlerë 88 milionë euro. Bizhuteritë nuk janë rikuperuar ende. Ndërkohë janë ngritur akuza kundër katër të dyshuarve, të cilët janë lënë në paraburgim.
Gjykata e Auditorëve ka kritikuar ashpër menaxhimin e muzeut vitet e fundit, duke vënë në dukje në një raport të publikuar të enjten se muzeu i madh i Parisit e ka neglizhuar sigurinë në favor të veprave prestigjioze.
“Siguria e Luvrit do të rishikohet plotësisht”, siguroi dje Presidenti Macron, duke iu referuar planit “Rilindja e Re e Luuvrit” të shpallur në janar dhe sipas të cilit muzeu do të marrë një portë të re të madhe hyrjeje ose edhe një dhomë kushtuar Xhokondës së Leonardo da Vinçit.
Gjykata e Auditorëve e rishikoi koston e këtij projekti në 1.15 miliardë euro, krahasuar me 700 deri në 800 milionë euro të raportuara nga shoqëruesit e kreut të shtetit. Gjithashtu e konsideroi projektin “të pafinancuar” në gjendjen aktuale.
Ndërkohë, menaxhmenti i muzeut me më shumë vizita në botë paraqiti “masa emergjente” dje gjatë një mbledhjeje të bordit që u thirr, duke përfshirë krijimin e një organi koordinues sigurie dhe instalimin e kamerave shtesë të sigurisë, pas kritikave për mungesën e tyre rreth muzeut.