Kryetari i Alternativës, njëherësh një nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka bërë të ditur se bashkë me drejtues të lartë politikë shqiptarë ka vizituar sot Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, në kuadër të festimeve për Ditën e Alfabetit.
Ai njofton se në këtë vizitë ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministri në ardhje Bekim Sali, zëvendëskryeministri Arben Fetai, si dhe liderë të tjerë të VLEN-it.
“Në çdo shkronjë, në çdo dokument, ndjenim frymën e atyre burrave që sakrifikuan gjithçka për të na dhënë një zë të përbashkët, një gjuhë që na bashkon dhe na identifikon”, shkruan Ibrahimi, duke theksuar ngarkesën historike të kësaj dite.
Ai shton se kjo trashëgimi kërkon përgjegjësi dhe unitet:
“Sot qëndrojmë të përulur me mirënjohje para amanetit të tyre, amanetit të shkronjave të arta… Të bashkuar si kurrë më parë, kemi përgjegjësi që këtë trashëgimi ta ruajmë me zemër, ta çojmë përpara me dinjitet dhe ta bëjmë të barabartë për çdo shqiptar, kudo që jeton.”