Ministri për Çështje Evroiane, Orhan Murtezani, sot kishte fjalën e tij në seancën e përbashkët të Komisionit për çështje evropiane dhe Këshillit nacional për euro-integrime në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Në fjalën e tij Ministri Murtezani theksoi se Raporti i ri vjetor i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2025, paraqet pasqyrë të qartë të arritjeve të deritanishme dhe të fushave në të cilat reformat duhet të përforcohen. Ai theksoi se vendi mban nivel të qëndrueshëm dhe të mirë të gatishmërisë në sërë kapitujsh kyçe, por se dinamika e progresit duhet të jetë më energjik, veçanërisht në segmentin e sundimit të së drejtës.
Murtezani theksoi se kjo Qeveri hyn me vullnet të qartë politik për të konkretizuar reformat, për të përshpejtuar miratimin e ligjeve kyçe dhe për ta shndërruar gatishmërinë në rezultate reale. Ai shtoi se Agjenda e reformave, skrining raportet dhe Plani i rritjes japin arkitekturën e plotë për progres, ndërkaq detyra e institucioneve është që të sigurojnë ritëm dhe zbatim të qëndrueshëm.
Në vazhdim mund ta gjeni fjalimin e plotë të Ministrit Murtezani:
E nderuara kryetare e Republikës së Maqedonisë së Veriut,
I nderuar Euro-Ambasador, të nderuar kryetarë të KEI-së dhe KNEI-së, Zonja dhe Zotërinj,
Në këtë seancë të përbashkët të Komisionit për Çështje Evropiane dhe të Këshillit Nacional për Euro-integrime sërish konfirmohet ajo që me vite ka qenë bazë e perspektivës sonë evropiane, ajo është bindja se integrimi evropian nuk është vetëm proces teknik ose administrativ, por përpjekje shtetërore afatgjatë që bazohet në vizion, pjekuri institucionale dhe këmbëngulje politike. Këto dy organe, secili brenda kompetencës së vet, krijojnë hapësirë në të cilën agjenda evropiane fiton peshë demokratike, dukshmëri parlamentare dhe përfshirje të zërave të ndryshme politike dhe shoqërore. Kjo është arsyeja pse jam veçanërisht i kënaqur që sot, të bashkuar në diskutim të përbashkët, do të kemi mundësinë të rilidhim perspektivat e ndryshme politike me vendosmërinë e përbashkët strategjike që e çon Maqedoninë e Veriut drejt Bashkimit Evropian.
Çdo raport i ri nga Komisioni Evropian është mundësi për ta parë veten përmes një prizmi analitik dhe objektiv evropian. Raporti i sivjetmë i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut na jep pasqyrë të qartë midis asaj që është arritur në të vërtetë dhe asaj që duhet të përforcohet. Është rikujtim se integrimi evropian është proces që kërkon vazhdimësi, disiplinë institucionale dhe pjekuri politike në mënyrë që gjithmonë të rrjedhin rezultate të dukshme për qytetarët. Kjo Qeveri hyri në proces me vendosmëri të tillë, me vullnet të qartë për të intensifikuar ritmin e reformave.
Në vlerësimin e Komisionit Evropian mund të vërehet imazh shumë shtresor. Nga njëra anë, gatishmëria e vendit vlerësohet si e qëndrueshme dhe në një nivel të kënaqshëm ose edhe të mirë, me përmirësim gradual krahasuar me vitet e kaluara. Në disa fusha, mes të cilave statistika, doganat, lëvizja e lirë e kapitalit, një pjesë e kritereve ekonomike, shoqëria informatike dhe harmonizimi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, Maqedonia e Veriut tregon cilësi që e vendos atë midis vendeve kandidate më të përgatitura në rajon. Ky është rezultat i vazhdimësisë së institucioneve, si dhe kahësimit të përforcuar reformues i kësaj Qeverie, veçanërisht në pjesën e digjitalizimit dhe politikave ekonomike. Nga ana tjetër, dinamika e progresit mbetet e moderuar dhe i pamjaftueshëm në fushat kryesore, gjë që tregon se përgatitja jonë jo gjithmonë shndërrohet në rezultate me shpejtësinë e nevojshme. Ne, si Ministri për Çështje Evropiane, sipas metodologjisë sonë shumëvjeçare, shohim se një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve që i jep Komisioni Evropian përsëriten në disa raporte pasuese, dhe disa prej tyre përfshihen edhe në Agjendën e reformave, që është sinjal i qartë se pikërisht këto segmente kërkojnë politikë më të përforcuar dhe mobilizim institucional, por edhe konsensus, posaçërisht gjatë miratimit të legjislacionit.
Më qartë kjo shihet në fushën e sundimit të së drejtës. Komisioni Evropian shënon se kanë filluar proceset për zbatimin e Strategjisë për gjyqësorin dhe se janë ndërmarrë hapa në përputhje me udhërrëfyesit, por njëkohësisht tregon se progresi është i kufizuar. Pavarësia dhe efikasiteti i gjyqësorit, kapacitetet kadrovike, funksionaliteti i sistemeve si AKMIS, si dhe lufta kundër korrupsionit në nivel të lartë, mbeten çështje të ndjeshme që nuk durojnë prolongim. Pikërisht për këtë arsye kjo Qeveri vendosi prioritet të qartë për të përshpejtuar miratimin e Kodit Penal në harmonizim me standardet evropiane, të përforcoj kapacitetin institucional të prokurorive dhe gjykatave, të sigurojë kushte reale për veprim proaktiv të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe të sigurohet që lufta kundër dobësive të sistemit të arrijë rezultat konkret. Reformat në gjyqësor nuk janë as përpjekje teknike dhe as politike. Ato janë themeli mbi të cilin qëndron perspektiva evropiane, masë për legjitimitet para qytetarëve dhe kriter kyç në procesin e hapjes dhe mbylljes së klastereve dhe kapitujve.
Vlerësimi reformues është kompleks dhe njëkohësisht tregon arritjet edhe sfidat. Në më shumë fusha janë arritur rezultate që konfirmojnë aftësinë e vendit se përparon kur reformat kryesohen me qëllim të qartë. Progresi në digjitalizim, miratimi i ligjeve për identifikimin elektronik dhe doracaku digjital, zgjidhjet e reja për nëpunësit administrativ dhe punonjësit e sektorit publik, si dhe riorganizimi i filluar i organeve të administratës shtetërore tregojnë se politikat tona po lëvizin në përputhje me Agjendën e reformave 2024-2027. Gjithashtu, stabiliteti i marrëdhënieve ndëretnike, roli konstruktiv i Kuvendit me rregulloren e re të punës dhe nivelit të lartë të harmonizimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian po e përforcojnë imazhin e Maqedonisë së Veriut si partner të sigurt. Këto janë elementë të rëndësishëm që konfirmojnë tezën se vendi ka kapacitet të arrijë rezultate dhe se kjo Qeveri ka vendosmëri të qartë të përforcoj pikërisht ato procese që e sjellin vendin më afër standardeve evropiane.
Prandaj, në vend që ta shohim Raportin vetëm si një analizë e punës deri më tani, atë duhet ta lexojmë si thirrje për realizim më ambicioz në periudhën e ardhshme. Agjenda e reformave, raportet e skriningut dhe Plani i rritjes tashmë janë arkitekturë e detajuar e reformave. Detyra jonë, si Qeveri, si Kuvend dhe si institucione, është që kjo arkitekturë të merr ritëm të qartë dhe dinamikë të dukshme. Përfundimi i ciklit zgjedhor krijon kushte për veprim të vazhdueshëm dhe të kahësuar. Kjo Qeveri nuk është këtu për të pranuar ngecjen si të mirëqenë, por për ta kapërcyer duke u bazuar në ekspertizë, konsensus dhe llogaridhënie. Qëllimi është që në raportin e ardhshëm të mos konstatojmë përsëritje të rekomandimeve, por përmbushje të reformave. Kjo kërkon durim, por edhe vendosmëri. Kërkon integritet institucional, por edhe pjekuri politike. Kërkon, mbi të gjitha, vizion të përbashkët për Maqedoninë e Veriut si një vend që jo vetëm po ecën drejt Evropës, por po piqet si partner evropian i barabartë, i përgatitur dhe i besueshëm.