Autoritetet iraniane nisën këtë fundjavë operacione të mbjelljes së reve për të shkaktuar reshje, ndërsa Irani po përballet me thatësirën më të rëndë në dekada, raportuan mediat shtetërore.
“Sot u krye një fluturim mbjelljeje reve në pellgun e Liqenit Urmia për herë të parë këtë vit hidrologjik”, që nis në shtator, theksoi agjencia IRNA vonë të shtunën.
Liqeni, më i madhi i Iranit në veriperëndim të vendit, është tkurrur ndjeshëm për shkak të mungesës së shiut.
Sipas IRNA-s, planifikohen operacione të mëtejshme në provincat Azerbajxhan Lindor dhe Perëndimor.
Vitit e kaluar, Teherani njoftoi se kishte zhvilluar teknologjinë e vet për mbjelljen e reve me avionë. Kryesisht e thatë, vendi vuan prej vitesh nga thatësira dhe valë të nxehti, që pritet të përkeqësohen me ndryshimet klimatike.
Irani po përjeton “vjeshtën më të thatë në 50 vjet”, raportoi IRNA. Sipas shërbimit meteorologjik kombëtar, reshjet këtë vit janë 89% nën mesataren afatgjatë.
Megjithatë, të shtunën IRNA raportoi shi në zona perëndimore dhe veriperëndimore të vendit.
Mediat lokale transmetuan video me reshje të forta në Ahvaz dhe Shushtar (jugperëndim), si dhe në Salmas, Urmia (veriperëndim) dhe Abdanan (perëndim). Në disa zona, shiu i rrëmbyeshëm shkaktoi përmbytje. Mediat shtetërore treguan gjithashtu imazhe të borës së parë në malet Alborz dhe në qendrën e skive Tochal, në veri të kryeqytetit.
Vendi po përballet me krizë të rëndë uji dhe në Teheran niveli i ulët i reshjeve është pothuajse i paprecedentë në një shekull», kishte thënë një zyrtar lokal në tetor. Nga 31 provincat iraniane, 15 nuk patën asnjë pikë shi këtë vjeshtë, raportojnë mediat iraniane.
Nivelet e ujit në rezervuarët që furnizojnë shumë provinca kanë rënë në minimumin historik. Më herët këtë muaj, presidenti i Iranit paralajmëroi se Teherani mund të evakuohet për shkak të mungesës së ujit nëse nuk bie shi deri në fund të vitit.
Masoud Pezeshkian nuk sqaroi se si do të zhvillohej një operacion i tillë. Qeveria më vonë sqaroi se qëllimi ishte informimi i publikut për seriozitetin e situatës, jo shpallja e një plani konkret.
Vende të tjera në rajon, veçanërisht Emiratet e Bashkuara Arabe, përdorin gjithashtu mbjelljen e reve për të nxitur reshjet.