Në Pallatin e Kulturës në Manastir u zhvillua mbrëmë një koncert festiv madhështor me rastin e Ditës së Alfabetit, ngjarje që përmbylli aktivitetet e 22 Nëntorit – datës që i dha gjuhës shqipe bazën e saj të njësuar dhe kombit shqiptar një shtyllë të fortë identiteti.
Atmosfera në sallë ishte e ngrohtë dhe e mbushur me emocione, ndërsa artistë të ndryshëm sollën interpretimet e tyre si homazh për delegatët e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, të cilët vendosën themelet e alfabetit të sotëm të shqipes. Muzika dhe arti u shndërruan në gjuhën përmes së cilës historia dhe sakrifica e rilindësve u rikthyen me dinjitet para publikut, përcjell TS.
Lideri i Lëvizjes Demokratike dhe kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, duke vlerësuar ngjarjen, theksoi se Manastiri edhe një herë ka dëshmuar rolin e tij të pazëvendësueshëm në historinë kombëtare. Ai u shpreh se një ditë kaq e rëndësishme meriton një mbyllje të madhe, dhe koncerti i mbrëmjes ishte pikërisht i tillë — një përuleje artistike ndaj rrënjëve dhe identitetit të përbashkët.
Koncerti shënoi jo vetëm festimin e alfabetit, por edhe respektin ndaj trashëgimisë që bashkon shqiptarët kudo ku ndodhen./TS