Janevska: Strategjia e re për arsim do të sigurojë vazhdimësinë e ndryshimeve efektive të filluara në resor
Arsimi është punë e kushtueshme. Por vlera e cilësisë është më e madhe se çdo çmim, dhe për këtë arsye Qeveria e Maqedonisë mbetet e përqendruar në të gjitha ndryshimet që duhet të ndodhin deri në arritjen e qëllimit përfundimtar, sepse për ne nuk ekziston asnjë alternativë tjetër. Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, në punëtorinë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës e organizoi së bashku me disa institucione të tjera dhe organizata partnere vendore dhe ndërkombëtare, me të cilat po përpunohet Strategjia e re për Arsim 2026–2032.
Filluam procese reformuese në të gjitha segmentet arsimore, njëherësh dhe paralelisht, sepse stagnimi ishte i dukshëm. Këtë na e konfirmojnë PISA dhe TIMSS, lista e Shangait, raportet e Komisionit Evropian dhe analiza të tjera përkatëse. Por, tashmë prej një viti e gjysmë, me entuziazëm të madh, po zbatojmë orientime programore që po japin rezultatet e para, ndërsa për efektivitet të plotë duhet të ketë vazhdimësi. Kjo vazhdimësi do të sigurohet me Strategjinë e re për Arsim”, theksoi Janevska.
Ajo shprehu mirënjohje ndaj të gjithë atyre që marrin pjesë në përgatitjen e dokumentit strategjik dhe potencoi se deri në fund të këtij muaji ekziston mundësia që ndonjë aspekt të plotësohet ose të përmirësohet me ide që, siç u shpreh ajo, mund të vijë nga dikush që deri më tani nuk ka qenë pjesë e procesit të hartimit.
„ Strategjia duhet të rrisë gjithëpërfshirjen, shkrim-leximin digjital dhe mediatik, kujdesin për shëndetin mendor dhe fizik të të rinjve, të forcojë mbështetjen për mësimdhënësit dhe të inkurajojë zhvillimin e kompetencave të tyre për mësimdhënie bashkëkohore, në përputhje me standardet globale arsimore.Pas miratimit vjen pjesa më e vështirë – zbatimi dhe matja e arritjeve. Prandaj, energjinë që e kemi pasur deri tani duhet ta ruajmë në të njëjtin nivel, ndërsa Qeveria do të kujdeset të sigurojë të gjitha burimet e nevojshme për zbatimin e masave, projekteve dhe aktiviteteve të parashikuara,” tha Janevska.
Në punëtorinë e sotme për hartimin e Strategjisë për Arsim 2026–2032 morën pjesë edhe përfaqësues të UNICEF-it, UNDP-së, Bankës Botërore, GIZ-it, komunitetit akademik dhe shkencor, si edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.