Shkup, 1 nëntor – Nga gjithsej 4.826 persona të sëmurë ose të paaftë që mund të ushtrojnë të drejtën e votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, deri në orën 20:00 kanë votuar 3.327 votues, njofton Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).

Në 14 institucionet ndëshkimore–korriguese, ku të drejtën e votës mund ta ushtrojnë 1.256 persona që po vuajnë dënim me burg ose janë në paraburgim, deri në orën 18:30 kanë votuar 588 votues.

Nga 214 persona të vendosur në institucionet për kujdes jashtëfamiljar, deri në orën 18:30 kanë votuar 125 votues, bëri të ditur KSHZ.

Sipas njoftimit, procesi i votimit për të gjitha këto kategori është zhvilluar pa pengesa dhe pa ndonjë problem apo parregullsi.

KSHZ sqaroi se rezultatet e votimit të personave të sëmurë dhe të paaftë, të burgjeve dhe të shtëpive të të moshuarve nuk publikohen sot veçmas. Çdo fletëvotim individual është vendosur në zarfa të mbyllura dhe futur në kutitë e votimit, të cilat nuk hapen sot.

“Numërimi i këtyre votave dhe publikimi i rezultateve të votimit të sotëm do të bëhet së bashku me rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve nesër pas orës 19:00, për çdo vendvotim dhe çdo komunë ku zhvillohet votimi,” thekson KSHZ.

Më herët, gjatë vazhdimit të seancës së 151-të, KSHZ hodhi poshtë një ankesë nga një person në Bogovinë, e cila kishte të bënte me ushtrimin e të drejtës së votës. Ankesa u refuzua si e pabazë, pasi gjatë verifikimit u konstatua se personi ishte i regjistruar në listën zgjedhore dhe mund të votojë në vendvotimin 2069/1.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2025, që do të mbahet nesër, do të votohet për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe në tre vendvotime në Shutkë për këshilltarë.

Të drejtën e votës e kanë gjithsej 1.013.375 qytetarë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com