Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot, gjatë seancës së saj të 151-të, njoftoi se u ka hequr akreditimin tetë vëzhguesve vendorë për shkak të agjitacionit para vendvotimeve, duke vepruar në kundërshtim me Kodinin Zgjedhor dhe Kodin e Vëzhgimit Zgjedhor.

Në të njëjtën seancë, KSHZ shqyrtoi edhe dy ankesa që kishin të bënin me realizimin e të drejtës së votës. Në të dyja rastet u konstatua se personat janë të regjistruar në Listën Zgjedhore dhe mund ta realizojnë të drejtën e tyre të votës deri në orën 19:00, njofton TS.

Një nga ankesat ishte dorëzuar nga Trajçe Kamçev nga Komuna Qendër. Pas verifikimit nga shërbimet përkatëse, u konstatua se ai figuron në Listën Zgjedhore në vendvotimin 1354, dhe për këtë arsye ankesa u refuzua.

“Ky person është i regjistruar në Listën Zgjedhore në vendvotimin 1354 në komunën Qendër dhe mund ta realizojë lirshëm të drejtën e votës,” deklaroi kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.

KSHZ shqyrtoi edhe një ankesë tjetër të dërguar me email nga Qemal Ismailoski nga Kërçova, i cili pretendonte se nuk ishte gjetur në pajisjen për identifikim biometrik. Ankesa ishte dërguar gjithashtu edhe te Avokati i Popullit dhe Prokuroria Publike. Pas kontrollit nga shërbimi teknik dhe sektori IT, u konstatua se personi është regjistruar si në Listën Zgjedhore, ashtu edhe në pajisjen për identifikim biometrik.

Anëtari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, kërkoi që komisioni të mos vendosë fare për këtë ankesë, pasi ajo është dërguar nga një adresë elektronike që mund të mos jetë personale dhe ekziston dyshimi për keqpërdorim të të dhënave personale. Ai propozoi që Prokuroria Publike të verifikojë origjinën e ankesës.

Kryetari Kondarko theksoi se Prokuroria tashmë e ka marrë emailin dhe mund të hetojë rrethanat që nuk lidhen drejtpërdrejt me të drejtën e votës, ndërsa sqaroi se KSHZ-ja është kompetente vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me realizimin e të drejtës për të votuar.

Ai gjithashtu nënvizoi se deri më tani në asnjë vendvotim nuk është raportuar ndonjë pengesë për ushtrimin e të drejtës së votës.

Heqja e akreditimeve për vëzhguesit

KSHZ mori vendim për të hequr akreditimet e tetë vëzhguesve vendorë në komunën Shuto Orizare, pasi është raportuar se ata kanë keqpërdorur bexhet (shenjat e identifikimit) dhe kanë bërë agjitacion në shkollë pranë vendvotimeve.

Sipas KSHZ-së, bëhet fjalë për këta persona:
Elvis Bajram (kandidat për kryetar komune nga Bashkimi i Romëve në raundin e parë),
Seat Ismail (kandidat për këshilltar në Shuto Orizare),
Valentina Bajram (motra e Elvis Bajramit),
Shaban Bajram,
Gabriel Bajram,
Reshad Sokol (kandidat për këshilltar në komunë),
Qamuran Reunared dhe
Almir Sali (gjithashtu kandidat për këshilltar në Shuto Orizare).

“Këtyre personave KSHZ u ka dhënë akreditime për vëzhgim në bazë të dokumentacionit të dorëzuar, por është konstatuar se ata e kanë shkelur Kodin e Vëzhguesve, duke vepruar në mënyrë të njëanshme dhe duke bërë agjitacion në vendvotime,” – deklaroi kryetari Kondarko.

Ai shtoi se KSHZ e ka njoftuar MPB-në (Ministrinë e Punëve të Brendshme) për këtë rast, pasi agjitacioni është bërë jashtë vendvotimeve, ku komisioni nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta.

Pas heqjes së akreditimeve, KSHZ do të njoftojë Komisionin Zgjedhor Komunal të Shuto Orizarës dhe këshillat e vendvotimeve që të mos lejojnë këto persona të hyjnë në vendvotime apo në objektet ku zhvillohet votimi, si dhe të mos përdorin më akreditimet apo bexhet e mëparshme./TS

 

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com