Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) informoi se votimi i sotëm i personave të sëmurë dhe të pafuqishëm, si dhe i të burgosurve po zhvillohet pandërprerje, pa asnjë vështirësi, problem ose ankesë të raportuar.

“Votimi po zhvillohet, filloi në kohë, nuk kemi probleme me materialin zgjedhor dhe organet zgjedhore, nuk kemi vërejtje, kundërshtime, ankesa ose informacione të tjera. Personat e autorizuar kompetentë këtë paradite ishin në terren në komisione të caktuara komunale zgjedhore”, informoi Boris Kondarko, kryetar i KSHZ-së në vazhdimin e seancës së 151-të.

Shtoi se votat nga votimi i sotëm nuk do të numërohen veçmas, por do të vulosen dhe do t’i bashkëngjiten votimit të nesërm, pas së cilës do të shpallen si pjesë e rezultateve të përgjithshme. Njëkohësisht, paralajmëroi një njoftim shtesë për daljen e sotme në votim pas përfundimit të votimit.

Në kuadër të vazhdimit të seancës së 151-të, KSHZ-ja shqyrtoi edhe disa ankesa në lidhje me ushtrimin e të drejtës së votës. U miratuan katër ankesa, duke njohur kështu të drejtën e votës për aplikantët që nuk ishin të regjistruar në listat përkatëse të votuesve, pasi që i përmbushin kërkesat ligjore. Ndërsa, tre ankesa u refuzuan si të pabazuara sepse personat ose ishin tashmë të regjistruar në listën e votuesve, ose nuk kishin vendbanim në territorin e shtetit.

Lidhur me vëzhgimin e procesit zgjedhor, KSHZ-ja konfirmoi se janë akredituar gjithsej 1.622 vëzhgues, nga të cilët 957 vendas, 651 ndërkombëtarë dhe 14 gazetarë të huaj.

Të drejtën e tyre të votimit sot e realizojnë 4.826 persona të sëmurë ose të pafuqishëm, 1.256 persona në 14 institucione ndëshkuese-përmirësuese dhe 214 persona të akomoduar në 13 qendra për kujdes jashtëfamiljar.

Në rrethin e dytë të Zgjedhjeve lokale të vitit 2025, nesër do të zhvillohet votimi për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe për këshilltarë në tre vendvotime në Shuto Orizare.

Të drejtë vote kanë 1.013.375 qytetarë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com