Nga Arben Llalla
Në politikë, armiku më i rrezikshëm nuk vjen nga jashtë, por nga brenda shtëpisë.
Ali Ahmetit nuk ia ngritën kurthet kundërshtarët politikë, por bashkëpunëtorët e tij më të afërt – ata që nuk dalloheshin për aftësi profesionale, por për servilizëm të pështirë. Njerëz që nuk kontribuan me mendje e ide, por me gjunjë të përkulur, duke u shfaqur si lëpirës tipikë të pushtetit, si kërmilli pas shiut.
Për vite me radhë, në BDI u ngulit një kulturë e gabuar politike, ku besnikëria ndaj individit u vlerësua më shumë se aftësia, dhe ku nënshtrimi zëvendësoi meritën. Të aftit e të ndershmit u larguan ose u heshtën, ndërsa karrieristët e pandershëm ndërtuan pozitat e tyre mbi emrin e Ali Ahmetit. Sot pasojat e këtij modeli janë bërë të dukshme: partia po kalon krizën më të thellë morale dhe organizative në historinë e saj.
Nëse nuk ndodh një reflektim i thellë, nëse nuk ka marrje përgjegjësish dhe dorëheqje morale, atëherë BDI-së do të tretet si kripa në ujë. Historia e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut e ka treguar qartë se partitë që humbasin idealin, që nuk dëgjojnë bazën, përfundojnë të shkatërruara nga vetvetja.
BDI duhet të zgjohet, të pastrohet nga servilizmi dhe interesaxhinjtë, të kthehet tek rrënjët e saj, tek ideali që e solli në pushtet. Përndryshe, ajo do të mbetet vetëm një kujtim i ndërtuar nga lavdia dhe i shembur nga tradhëtia.