Një ish-lojtar i Premierligës, i cili ka qenë një nga performuesit më të spikatur të Bundesligës këtë sezon, është identifikuar si një “objektiv ëndërr për të ardhmen” nga Liverpooli, sipas raportimeve.
Ka qenë një verë e ngarkuar për kampionët në fuqi të Premierligës, të cilët shpenzuan 446 milionë paund për afrimet e Florian Wirtzit, Hugo Ekitikes, Giovanni Leonit, Jeremie Frimpongut, Milos Kerkezit dhe Alexander Isakut.
Për ta vendosur këtë shifër në perspektivë, është më shumë se çdo klub tjetër anglez ka shpenzuar ndonjëherë në një afat të vetëm, duke kaluar edhe rekordin prej 434.5 milionë paund të Chelsea në verën e vitit 2023.
Pritshmëritë ishin të larta në nisje të sezonit 2025-26, por skuadra e Arne Slot nuk ka arritur të tregojë rezultate së fundmi.
Madje, të shtunën pësuan humbjen e tetë në 11 ndeshje, duke u mundur 3-0 në shtëpi nga Nottingham Forest.
Mes kësaj forme të dobët, ka dalë lajmi se Liverpoolit është “i interesuar” për sulmuesin e Bayern Munichut, Michael Olise.
Që nga bashkimi me Bayernin nga Crystal Palace vitin e kaluar, Olise ka qenë i jashtëzakonshëm, duke realizuar 29 gola dhe 33 asistime në 73 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Aktualisht, Liverpooli nuk po planifikon një ofertë për Olisen, sipas reporterit të “Sky”, Florian Plettenberg, i cili thotë se ata e shohin lojtarin si një “objektiv ëndërr për të ardhmen”, pasi janë të fokusuar tek Antoine Semenyo.
Ndërkohë, Olise nuk konsiderohet si një objektiv konkret për “The Reds”, pasi nuk ka klauzolë largimi në kontratën e tij me Bayern, dhe as klubi e as lojtari nuk janë të hapur për një largim.
Një raport nga “Football Insider” në shtator sugjeronte se Bayerni i ka vendosur Olises çmimin prej 100 milionë paund.
23-vjeçari, reprezentues francez, mund të arrijë çdo gjë në futboll, sipas bashkëlojtarit të Bayern, Serge Gnabry, i cili e ka lëvduar shumë anësorin në tetor.
Ai tha: “Ka potencial të jashtëzakonshëm dhe është një nga lojtarët më të mirë në botë aktualisht. Nuk e di se ku është kufiri i tij. Michael mund të arrijë çdo gjë. Mund të luajë në qendër, ta mbajë topin dhe është shumë i fortë në situata një kundër një. Nuk e njihja mirë më parë dhe nuk e prisja të ishte kaq i mirë. Ndoshta ndonjëherë nuk duket nga sjellja e tij, por ka një mentalitet shumë të forte”.
Gnabry shtoi: “Michael punon shumë, është një djalë shumë i mirë dhe shumë i vendosur. Për këtë arsye mendoj se ai ka ende shumë potencial”.