Pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga i pari i PDK-së, Ramiz Lladrovci ka thënë se ky hap i pritshëm i kryetarit të deritashëm do përshëndetur duke i ofruar përkrahje kryetarit në ardhje, Bedri Hamza.
Lladrovci përmes një postim në rrjetin social në Facebook ka shkruar se të jesh lider i partisë që buroi nga Drejtoria Politike e UÇK-së, është përgjegjësi e madhe.
“Përgëzoj strukturat e PDK-së për mbështetjen që ma kanë dhënë në çdo situatë, me besimin e plotë se do të bëhet mirë. Falënderim i veçantë shkon për qytetarët e komunës së Drenasit, të cilët besuan në zotimin tim se s’ka bir nane që më largon nga PDK-ja. Besimi im në sinqeritetin e anëtarësisë, ashtu dhe udhëheqësve të PDK-së, ka qenë i madh. Ky hap i pritshëm i kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi do përshëndetur, njëherësh, duke i ofruar fuqishëm përkrahje kryetarit në ardhje, Bedri Hamza. Të jesh lider i partisë që buroi nga Drejtoria Politike e UÇK-së, është përgjegjësi e madhe, përgjegjësi për ta dërguar shtetin në nivel më të lartë, sinqerisht, me tërë forcat përparimtare të vendit. Partia Demokratike është vet liria dhe shteti i Kosovës”, ka shkruar Lladrovci.
Ai tha se: “Të jesh lider i Partisë Demokratike të Kosovës, do të thotë të jesh shtetformues e shtetndërtues, gjithëpërfshirës e përbashkues, trim dhe i drejtë, largpamës e vizionar, burrështetas dhe lider në fjalë e vepra. Suksese të mëtejme parti e liderëve tanë të luftës dhe paqes, suksese PDK”.