Punëtorët kërkojnë rritje të menjëhershme të pagës minimale nga 600 deri në 700 euro. Kjo është treguar nga anketa e Lidhjes të Sindikatave të Maqedonisë, e kryer mbi një mostër përfaqësuese prej 1.613 të anketuarish.
“87,2% e punëtorëve në Maqedoni në anketën që kreu Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, lidhur me nevojën për rritjen e pagës minimale, thanë se paga minimale duhet të rritet patjetër në 600 deri 700 euro. Gjithashtu, për të theksuar, 52,8% e të anketuarve konfirmuan se janë të gatshëm të protestojnë, dhe 47,2% e tyre thanë se janë të gatshëm të bëjnë grevë për të arritur këtë të drejtë”, tha Slobodan Trendafilov, kryetar i LSM-së.
Ndërkohë, dje ministri i ekonomisë Besar Durmishi ishte i prerë se nuk do të ketë rritje të menjëhershme të pagës minimale nën presionin e sindikatave. Ai tha se paga minimale do të rritet në mars, sipas ligjit, bazuar në formulën për llogaritjen e saj. Nuk do të ketë vendime populiste – tha ai – sepse analizat tregojnë se kjo do të rrisë inflacionin.
“Të shkojmë nën presionin që na bëjnë sindikatat, me këtë vendim do të ushtrojmë presion mbi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ku për shkak të këtij presioni, ato nuk do të kenë mjete financiare për të paguar punëtorët e tyre. Do të ndodhë në njëfarë mënyre që, le të themi, do të detyrohen të largojnë punëtorët që kanë, gjë që do të ndikojë në inflacion sepse është cikël ekonomik”, deklaroi Durmishi.
Durmishi njoftoi se deri në fund të muajit do të thërrasë Këshillin Ekonomik-Social. Atje do të diskutohet për pagën minimale dhe gjithashtu do të precizohen shportat mesatare të konsumit të qeverisë.