Një kaos i madh po ‘zihet’ te Real Madridi – dhe jo vetëm në fushë.
“Los Blancos” nuk kanë fituar asnjë nga tre ndeshjet e tyre të fundit dhe për një klub që jeton gjithmonë buzë dramës, kjo ka ndezur panik të plotë në kryeqytetin spanjoll.
Raportimet në Spanjë pretendojnë se dhoma e zhveshjes është ndarë në grupe rivale.
Disa lojtarë thuhet se po kthehen kundër trajnerit nën presion, Xabi Alonsos, ndërsa të tjerë po rreshtohen në mbështetje të tij.
Barazimi i fundit 2-2 ndaj Elches, një skuadër që po vuan këtë sezon, ishte ndeshja e tretë radhazi pa fitore, pas një 0-0 të zbehtë ndaj Rayo Vallecanos dhe një humbjeje 1-0 në Ligën e Kampionëve nga Liverpooli.
Reali bëri një nisje të shkëlqyer nën drejtimin e trajnerit të ri, duke fituar 10 nga 11 ndeshjet e para të LaLigës dhe janë ende në krye të tabelës, një pikë para Barcelonës.
Por kishte zëra se disa yje nuk po bindeshin nga filozofia e Alonsos. Dhe me rënien e rezultateve, fjalët për një rebelim kanë shpërthyer.
Sipas “El Partidazo de COPE”, deri në gjashtë lojtarë besohet të jenë “të pakënaqur” me drejtimin e Alonsos.
Grupi i raportuar “anti-Xabi” përfshin Fede Valverden, Vinicius Jr, Rodrygon, Brahim Diazin, Endrickun dhe Ferland Mendyn.
Situata me Eduardo Camavingan dhe qëndrimi i tij thuhet të jetë i paqartë, pasi minutat e tij janë reduktuar gjithashtu.
Një nga pikat më të tensionuara të pretenduara është mes Alonsos dhe Vinicius Jr, me mediat spanjolle që pretendojnë se dyshja janë “përplasur rëndë”.
Alonso, 44 vjeç, e la Viniciusin jashtë formacionit titullar në barazimin e fundjavës kundër Elches – hera e katërt këtë sezon që ai nuk nis nga minuta e parë. Ylli brazilian ka luajtur 90 minuta të plota vetëm në katër ndeshje.
Disa raportime madje sugjerojnë se Vini po refuzon të firmosë kontratën e re derisa situata të qartësohet – një skenar makth për drejtuesit e klubit.
Por jo të gjithë thuhet se po përgatisin ‘thikat’. “COPE” pretendon se një grup tjetër prej pesë lojtarësh të Madridit janë fuqishëm pas trajnerit.
Këta pesë janë Huijsen, Carreras, Courtois, Arda Guler dhe Kylian Mbappe, i cili tani është bërë fytyra e projektit të ri të Madridit.
Pozicioni i yjeve të Anglisë, Jude Bellingham dhe Trent Alexander-Arnold, nuk dihet.
Me tensionet që raportohet se po rriten dhe rezultatet që po ngecin, dhoma e zhveshjes së Madridit duket më shumë si një fushë beteje sesa një makinë për titull për momentin.