Maqedonia e Veriut në udhëkryq: Raporti i KE: Stagnim në pavarsin e gjyqësorit dhe në Ndryshimet kushtetuese
Qani Shabani
Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2025, vendi shihet si një shtet mes reformës dhe stagnimit të rrezikshëm. Megjithëse ka arritur disa përparime institucionale dhe ka një nivel të mirë të përputhjes me politikat e jashtme të Bashkimit Evropian, bllokadat politike po e frenojnë realizimin e reformave kyçe dhe stabilitetin e vendit.
Gjykatat dhe sundimi i ligjit mbeten sfidat më të mëdha. Edhe pse janë ngritur struktura të reja gjyqësore, pavarësia dhe profesionalizmi i gjykatave janë të kufizuara, duke e bërë drejtësinë të ndikuar politikisht. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal, që reduktuan dënimet për korrupsionin e lartë, janë kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe organizatat ndërkombëtare si regres i rëndë. Hetimet dhe gjykimet ndaj zyrtarëve të lartë shpesh mbyllen pa rezultate, duke krijuar perceptimin se ligji zbatohet selektivisht dhe sipas interesave politike.
Në administratë dhe ekonomi, vendi ka bërë disa hapa përpara, sidomos në digjitalizimin e shërbimeve publike, por administrata mbetet thellësisht e politizuar. Ekonomia është e qëndrueshme, por pa reforma strukturore për tërheqje investimesh, rritje konkurruese dhe ulje të korrupsionit ekonomik.
Raporti vlerëson si të rëndësishëm ruajtjen e marrëdhënieve ndëretnike dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, por paralajmëron për rikthimin e retorikës ndarëse, sidomos në periudha zgjedhore. Tensionet politike mes partive po dëmtojnë funksionimin normal të shtetit dhe po e vendosin vendin përballë një bllokade institucionale të rrezikshme.
Pozita qeverisëse e udhëhequr nga Hristijan Mickoski po pengon ndryshimet kushtetuese, duke përdorur retorikë nacionaliste dhe duke bllokuar çdo përpjekje për të përmirësuar funksionimin e gjykatave dhe sundimin e ligjit. Kjo po rrit polarizimin politik dhe po e mban vendin në stanjacion, duke rrezikuar momentumin historik për integrim në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, raporti vlerëson se Maqedonia e Veriut ka bërë progres teknik të lartë për integrim në BE dhe ka një nivel të mirë të pluralizmit mediatik. Shoqëria civile është aktive, edhe pse shpesh instrumentalizohet nga partitë politike.
Çështja më e rëndësishme dhe më delikate mbetet për shqiptarët dhe barazia gjuhësore. Aktualisht, Kushtetuta kufizon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe vetëm në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë. Kjo krijon një pabarazi juridiko-kushtetuese midis shqiptarëve dhe maqedonasve dhe pengon pjesëmarrjen e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Ndryshimi i Kushtetutës për të hequr këtë kufizim dhe vendosja e gjuhës shqipe në status të barabartë zyrtar me maqedonishten duhet të jetë prioriteti kryesor i partive shqiptare. Ky hap është thelbësor për stabilitetin e vendit, për ruajtjen e marrëdhënieve ndëretnike dhe për integrimin e suksesshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Në këtë moment delikat, vendi ka kapacitetin të ecë drejt Evropës, por mungesa e vullnetit politik dhe pengesat nga pozita po e mbajnë vendin në stanjacion. Për të garantuar barazinë për të gjithë qytetarët dhe për të shpëtuar mundësinë historike për integrim, barazia gjuhësore dhe respektimi i të drejtave të shqiptarëve janë çelësi për një Maqedoni më të drejtë dhe të qëndrueshme.