Nga kjo e hënë, Komuna e Vrapçishtit ka ndërprerë përkohësisht funksionimin, pas vendimit të paralajmëruar nga Qeveria që nga dita e martë të caktojë një të besuar të saj si ushtrues detyre për kryetar komune.
Sipas kryetarit aktual, Isen Shabani, arsyeja e këtij vendimi lidhet me mosarritjen e censusit zgjedhor, e cila ka penguar përfundimin e procesit zgjedhor në këtë komunë. Kryeministri kishte paralajmëruar më herët se, në rastet ku nuk është arritur censusi, Qeveria do të ndërhyjë duke caktuar ushtrues detyre deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Megjithatë, Shabani, i cili garon për mandatin e tij të tretë, e konsideron këtë vendim të kundërligjshëm. “Kodi Zgjedhor parasheh emërimin e ushtruesit të detyrës vetëm nëse dështon censusi edhe në rrethin e dytë,” deklaroi ai.
Përveç Vrapçishtit, në të njëjtën situatë ndodhen edhe Komuna e Gostivarit, Mavrovë-Rosushë dhe Qendër Zhupë, ku gjithashtu nuk është arritur pragu i nevojshëm i daljes në zgjedhje.
Në ditët në vijim pritet të shihet se si do të veprojë Qeveria dhe kush do të jenë personat që do të caktohen si ushtrues detyre në këto katër komuna./ Tv Globi