Mësuesja ka fotografuar bisedat e koleges për t’ia treguar drejtoreshës, policia i ngrit padi penale
NJPB Kavadarci ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Kavadarci kundër V.T. (47) dhe M.T. (52), të dyja nga Kavadari, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “Dëmtim dhe hyrje e paautorizuar në sistem kompjuterik” sipas nenit 251 dhe “Keqpërdorim i të dhënave personale” sipas nenit 149 të Kodit Penal.
V.T., e punësuar si mësuese në një shkollë në Kavadar, më 04.09.2025, në një nga klasat, ka gjetur të hapur në kompjuterin zyrtar (laptopin e shkollës) profilin privat në rrjetet sociale të një kolegeje dhe në mënyrë të paautorizuar ka fotografuar biseda private, me qëllim që t’ia përcjellë ato M.T.-së, drejtoreshës së shkollës. Po ashtu, V.T. ka arritur të gjejë fjalëkalimin e profilit të të dëmtuarës, pas çka më 05.09.2025 dhe 07.09.2025 sërish ka fotografuar në mënyrë të paautorizuar mesazhe personale dhe ia ka dorëzuar M.T.-së, e cila më pas i ka dërguar te kolegë të tjerë.
Më 19.09.2025, në këshillin pedagogjik të mbajtur në shkollë, pasi e dëmtuara kishte treguar se një person i panjohur kishte fotografuar bisedat e saj private dhe i kishte shpërndarë te persona të tjerë, M.T. e kishte kërcënuar se nëse e raportonte rastin, do t’i dërgonte të gjitha mesazhet që i posedonte te kolegët e tjerë.