Duke i rënë tavolinës me ton triumfues, kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi një ditë më parë fitoren në njërën nga komunat të cilën e kishte humbur 12 vjet më parë, dhe e cila në atë kohë ishte parë si fitore etnike e shumicës së shqiptarëve që jetojnë atje.
Në vitin 2014, bashkimi administrativ i katër komunave rurale Zajaz, Osllomej, Vraneshticë dhe Drugovës me komunën rurale të Kërçovës, krijoi për herë të parë kushtet që komuna e cila me vite kishte qenë bastion i VMRO-DPMNE-së, të menaxhohej nga kuadër shqiptar, pasi bashkimi i pesë komunave bëri që popullsia e saj tashmë dominohej nga qytetarët me përkatësi etnike shqiptare. Kandidati i BDI-së kishte marrë mbështetjen edhe të opozitës për tre mandate rresht kurse fitorja sigurohej rishtazi me ndihmën e votave të mërgimtarëve.
“Ra Fatmir Dehari. Ra nga populli i cili u bashkua kundër shthurjes dhe punës joefikase dhe u vërtetua se askush nuk është më i fuqishëm se populli por edhe i treguam se çfarë mund të bëjmë kur jemi të bashkuar. Kjo e hap rrugën dhe tregon se mund të bashkohemi maqedonas, shqiptarë, turq, romë, serbë, vlleh, boshnjakë dhe të tjerët, të krishterë dhe myslimanë, VMRO-DPMNE-ja, LSDM-ja, dhe të tjerët rreth vlerave dhe politikave për të cilat qytetarët kanë nevojë. Ra miti se Kërçova është e atyre ose e jona, komunë e madhe ose e vogël, Kërçova është e kërçovarëve”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Kërçova nuk ishte e vetmja komunë ku gara u ngjyros kryekëput me karakter etnik. E tillë ishte edhe Bërvenica, në të cilën, kandidati i VLEN-it kishte kërkuar votë etnike të shqiptarëve, duke tentuar të zhveshë petkun partiak pas rrethit të parë të zgjedhjeve më 19 tetor. Haqim Ramadani nuk e fitoi garën.
“E dini se nuk meriton as emrin të ja përmend, ai kundërkandidat u përpoq të përfitojë në emër të përçarjeve nacionale, etnike, në Bërvenicë, por nuk ja arriti. Është i mposhtur. Në Bërvenicë mbetet Joco kryetar”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Kërçova do të drejtohet nga Aleksandar Jovanovski në katër vitet e ardhshme kurse Bërvenica edhe një mandat nga Jovica Ilievski. /Alsat.mk