Miss Universe Kili, Inna Moll, e gjeti veten në mes të një skandali mediatik për shkak të një videoje në TikTok që, në vend të promovimit shtesë, i solli një ortek kritikash.
Modelja dhe këngëtarja kiliane, e cila përfaqëson vendin e saj në konkursin e bukurisë “Miss Universe 2025”, u bë virale duke marrë pjesë në trendin popullor Addicted to You, por jo në mënyrën që priste.
Në videon kontroverse, e cila më pas u fshi nga profili i saj zyrtar, Inna u filmua duke thithur pluhur të bardhë.
Më vonë ajo shpjegoi se ishte një shaka e padëmshme e sajuar me një ekip artistësh grimi.
Megjithatë, shumë e lidhën videon me drogën dhe e shpallën atë krejtësisht të papërshtatshme për një konkurrente të “Miss Universe” dhe disa komentues madje kërkuan skualifikimin e saj.
Nën presionin në rritje, Inna Moll shkroi në Instagram për të sqaruar se çfarë ndodhi në të vërtetë dhe për t’u kërkuar falje kujtdo që mund të jetë lënduar ose zemëruar nga videoja.
“Dua t’u kërkoj falje kujtdo që u ndje i ofenduar”, tha ajo.
“Grimeri sugjeroi ta filmonim, dhe ndoshta për shkak të barrierës gjuhësore, nuk e kuptova plotësisht se çfarë po ndodhte. Në fillim thashë jo, por ai këmbënguli dhe në fund pranova. Duhet të kisha qëndruar e vendosur në atë ‘jo’,”tha ajo.