Ministri për Çështje evropiane, Orhan Murtazani, mëngjesin e sotëm ishte nikoqir i ministres për Çështje Evropiane të Mbretërisë së Suedisë, Jesika Rozenkranc, e cila dje dhe sot po qëndron në vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të takimit në Ministrinë për Çështje Evropiane u zhvillua takim tet-a-tet dhe sesion plenar i delegacioneve, në të cilat u diskutua për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimin dypalësh zhvillimor dhe mbështetjen e Suedisë në procesin e aderimit drejt Bashkimit Evropian.

Ministri Murtazani theksoi rëndësinë e ruajtjes së kredibilitetit të politikës së zgjerimit si një nga instrumentet kyçe për stabilitetin dhe prosperitetin e kontinetit. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj reformave dhe zbatimit të kritereve të Kopenhagës si udhërrëfyes themelor për anëtarësimin në Union. Në këtë kontekst, u potencua se procesi i aderimit duhet të udhëhiqet ekskluzivisht mbi bazën e meritave, ndërsa jo në kushtëzimet dypalëshe të cilat nuk rrjedhin nga ligji dhe parimet evropiane. Murtazani shtoi se dinamika e ripërtrirë e zgjerimit është mundësi që të kthehet besimin në idealin evropian, dhe se Maqedonia e Veriut është e gatshme të bëhet pjesë e valës së re integruese, e cila Evropën do ta bëjë më të fuqishme dhe më të bashkuar.

Në takim u diskutua edhe për implementimin e Planit për rritje të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendën reformuese, si mekanizma kryesorë për mbështetje të integrimit ekonomik dhe reformave strukturore. Murtazani theksoi se Maqedonia e Veriut deri më tani realizoi me sukses një pjesë të rëndësishme të detyrimeve të parapara në fazën e parë të Agjendës, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, digjitalizimit dhe mjedisit të biznesit. Të dy ministrat u dakorduan se Plani për rritje paraqet mundësi të re për konvergjencë ekonomike me tregun e vetëm të BE-së dhe nxitje plotësuese për rajonin që të përparojë drejtë rritjes së qëndrueshme dhe konkurencës.

Në kuadër të diskutimeve u potenuca veçanërisht rëndësia e bashkëpunimit dypalësh në mes Maqedonisë së Veriut dhe Suedisë, e cila po zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme përmes projekteve të Agjencisë Suedeze për ndihmë ndërkombëtare për zhvillim (ASNNZH-së), në pajtim me Strategjinë për bashkëpunim reformues me Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë për periudhën 2021–2027. Përmes kësaj programi, Suedia mbështet projekte në fushat e të drejtave të njeriut, demokracisë, barazisë gjinore, mbrojtjes së mjedisit jetësorë dhe zhvillimit ekonomik gjithëpërfshirës. Ndër iniciativat më të rëndësishme janë bashkëpunimi në mes shërbimeve statistike shtetërore, përforcimi i kapaciteteve të administratës publike, mbështetja e grave në mjediset rurale, projektet për ajër të pastër dhe energji të qëndrueshme, si dhe asistenca për avancimin e transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike.

Murtazani dhe Rozenkranc vlerësuan se marrëdhëniet dypalëshe në mes Maqedonisë së Veriut dhe Suedisë shquhen për stabilitet, respekt të ndërsjellë dhe përforcim permanent të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Murtazani shprehu mirënjohje për mbështetjen e deritanishme dhe siguroi se kjo vizitë do të kontribuojë në thellimin e iniciativave të përbashkëta, veçanërisht në fushën e tranzicionit të gjelbër dhe digjital, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik. Në kushte të svidave globale, bashkëbiseduesit u dakorduan se Evropë e bashkuar dhe stabile mund të ndërtohet vetëm përmes partneriteteve të bazuara në besim, solidaritet dhe vlera të përbashkëta.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com