Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Nazim Taipi, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, duke bërë një thirrje të fortë për reflektim dhe bashkim politik mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut informon Tetovasot.
Në reagimin e tij, Taipi thekson se zgjedhjet e fundit kanë nxjerrë në pah një realitet të hidhur: ndërsa maqedonasit janë të bashkuar, shqiptarët janë të përçarë.
“Humbjet në Saraj, Strugë, Tearcë dhe sidomos në Bërvenicë e Kërçovë nuk janë thjesht dështime elektorale, por pasqyra e një realiteti të dhimbshëm — tradhtia politike brenda radhëve tona është sofistikuar, duke u shitur për interesa të vogla personale,” ka deklaruar Taipi.
Ai nënvizon se shqiptarët nuk mund të përfaqësohen denjësisht pa unitet, pa një organizim të ri politik dhe pa udhëheqje me vizion e përgjegjësi kombëtare.
Sipas Taipit, është koha që partitë shqiptare të ristrukturohen në dy blloqe të qarta politike – pozitë dhe opozitë, duke shmangur fragmentimin që, siç thekson ai, i shkon vetëm në favor Kryeministrit aktual.
“Vetëm kështu i pamundësojmë Kryeministrit lojën e tij me 7 apo 8 ‘liderë shqiptarë’ që s’kanë peshë reale politike dhe kombëtare. Çdo fragmentim më i madh se dy blloqe është rrezik serioz për ekzistencën e fuqisë sonë politike,” shtoi Taipi.
Ai paralajmëroi se nëse nuk ndodh një organizim i ri politik shqiptar, pasojat e këtyre zgjedhjeve do të jenë të mëdha, veçanërisht për komunat me shumicë shqiptare.TS