Urim Saliu- Tetovasot
Zgjedhjet mbaruan. Asgjë nuk do të ndryshojë.
Thjesht janë ndërruar disa emra, por jo mënyra e qeverisjes. Po vjen edhe një dimër tjetër i rëndë, i varfër, si çdo herë. Kryetarët e rinj të komunave do ta kalojnë shumicën e mandatit duke folur për borxhet e trashëguara, sikur kjo të ishte gjëja që na intereson më shumë. Ata tashmë e kanë gati justifikimin për të qëndruar aty ku mbetën edhe paraardhësit e tyre.
Në këtë vend askush nuk jep llogari. Edhe këta të rinjtë, në fund të mandatit, nuk do të japin. Pastaj do të vijnë të tjerë që do trashëgojnë borxhet e tyre, dhe jeta do të vazhdojë të sillet në të njëjtin rreth të mbyllur ku politika ka shkatërruar çdo gjë.
Zgjedhjet mbaruan bashkë me heroizmat e rrejshme që ua mveshëm kandidatëve vetëm pse na duhej të besonim te dikush. Ata, nga hici, e shijuan për një moment lavdinë e rremë. Tani ka rënë heshtja.
Dhe shumë shpejt dimri do t’i zërë përsëri “në befasi”, sepse rrugët nuk do të jenë të pastruara nga bora e madhe. Bora, si çdo vit, “erdhi papritur” në dimër. Dhe kur të kërkohet përgjegjësi, biseda do të kthehet te qeverisja e kaluar.
Dhe kështu, gjithçka shkon përtej së keqes.