Analisti politik Besim Nebiu për Frontline e vlerësoi rezultatin e zgjedhjeve lokale të vitit 2025 në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar dominimin e qartë të VLEN-it në skenën politike shqiptare.

“Fitorja e VLEN-it është e qartë dhe e pakontestueshme. Pa marrë parasysh përpjekjet e NA-it për ta relativizuar dhe zbutur, rezultatet janë faktike dhe të pamohueshme. Narrativa që përpiqet të mbahet pas humbjes më shumë duket si një mjet për të fituar kohë sesa si një analizë serioze politike,” deklaroi Nebiu, përcjell PressOnline.al

Sipas tij, pozita e liderëve të tjerë shqiptarë është dobësuar:

“Zoti Taravari dhe zoti Sela, me bashkimin në kampin e Ali Ahmetit, u gjetën në pozitë të mbrojnë narrativën për ‘përfitimet’ nga 23-vjeçari dominim i BDI-së – një narrative që dukshëm nuk funksionoi tek elektorati shqiptar. As të dy nuk arritën të kapitalizojnë në bazat e tyre – Taravari në Gostivar, ashtu si Sela në Strugë. Kjo i vendos ata në një pozicion të vështirë politik, njësoj si zoti Ahmeti, i cili për herë të parë përballet me humbjen totale të kontrollit në hapësirën politike shqiptare.”

Nebiu theksoi se zgjedhjet ndryshojnë edhe legjitimitetin në hapësirën politike:

“Këto zgjedhje nuk ndryshojnë vetëm hartën politike, por edhe ekuilibrin e legjitimitetit. Format e vjetra të mobilizimit, të përdorura nga BDI-ja dhe të bazuara në retorikë patriotike dhe menaxhim klientelist të zgjedhjeve, dukshëm nuk funksionuan tek shqiptarët. Çfarë pason do të jetë një periudhë riorganizimi dhe llogaritjeje të brendshme – jo vetëm për BDI-në, por edhe për ata që vendosën t’i bashkohen në momentin e rënies së saj.”

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com