Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, thuhet se ka mbështetur projektligjin që parashikon dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë, transmeton Anadolu.
Sipas lajmeve në median lokale, Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Parlamentit Izraelit diskutoi projektligjin i cili parashikon dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë.
Duke folur në komision, Gal Hirsch, koordinator për të Burgosurit dhe Personat e Zhdukur, deklaroi se e ka kundërshtuar projektligjin në takimin e mëparshëm me arsyetimin se mund të dëmtonte pengjet e gjallë izraelitë në Gaza.
Hirsch deklaroi se tani e mbështet projektligjin sepse të gjithë pengjet e gjallë izraelitë janë liruar.
Zyrtari izraelit vuri në dukje se edhe Netanyahu gjithashtu e mbështet projektligjin që parashikon dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë.
Në anën tjetër, Komiteti duke miratuar projektligjin që vendos dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë, i hapi rrugën një votimi në Parlament.
Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, falënderoi Netanyahun për mbështetjen e tij në miratimin e projektligjit të paraqitur nga partia e tij.
Ben-Gvir mbrojti idenë se gjykatat nuk kanë diskrecion dhe se dënimi me vdekje duhet t’i vendoset çdo palestinezi që vret një qytetar izraelit.
Projektligji, i cili pritet të paraqitet në parlamentin izraelit këtë javë, duhet të miratohet në tre votime të ndara në parlament për t’u bërë ligj.
– Izraelitët që vrasin palestinezë do të përjashtohen nga ligji
Projektligji i diskutueshëm, përcakton se një gjykatë izraelite mund të vendosë dënimin me vdekje për këdo që vret një izraelit për “arsye nacionaliste”.
Megjithatë, nëse projektligji bëhet ligj, kjo dispozitë nuk do të jetë e vlefshme për një izraelit që vret një palestinez.