Në seancën e Qeverisë të martën u ndanë mjete shtesë prej 1.450.000 eurosh, të cilat do t’i shtohen 3,8 milionë eurove tashmë të ndara nga Banka Botërore për sistemin e ri doganor “new single window system”, i cili tashmë po futet në fazën e parë me Maqedoninë nga Shqipëria dhe Serbia, ndërsa në fazën e dytë duhet ta vendosin edhe Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnja e Hercegovinën, informoi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski, duke u përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Kuvend.

Ideja, siç theksoi Nikolloski, është që kur të fillojë trafiku i mallrave, nëse kamionët më parë i kanë plotësuar të gjitha dokumentet në mënyrë elektronike dhe gjithçka është në rregull, kur të mbërrijnë në kufi, targat e tyre do të njihen në mënyrë elektronike dhe rampa do të hapet për ta pa pasur nevojë të ndalen fare në kufi.

“Kjo do të thotë që teorikisht nëse mallra të caktuara shkarkohen në Durres dhe çohen në Beograd, nuk do të ketë ndalesë kur Shqipëria dhe Serbia ta vendosin të njëjtën gjë. Dhe, në momentin kur ne do ta vendosim, që është rreth një vit larg, nuk do të ketë ndalesë nga ana jonë, gjë që do të ndihmojë shumë edhe në uljen e korrupsionit të mundshëm në doganë, sepse me faktin se do të dixhitalizohet plotësisht, ata që punojnë në pikat kufitare nuk do të kenë asnjë rol në kontrollin e kamionëve. Sigurisht, ata që nuk i kanë të gjitha dokumentet dhe nuk i plotësojnë kërkesat do të duhet të kontrollohen”, tha Nikolloski.

Ideja, siç shpjegoi Nikolloski, është të integrohen dhjetë institucione të ndryshme nga Agjencia e Ushqimit, inspektimet fitosanitare, Drejtoria e të Ardhurave Publike etj., të cilat, siç tha ai, do të duhet të punojnë së bashku dhe të kenë ndërveprim, gjë që do të mundësojë rrjedhë të shpejtë në kufijtë e Maqedonisë dhe do të zvogëlojë mundësitë për korrupsion të mundshëm.

Nikolloski informoi gjithashtu se ata tashmë kanë arritur një marrëveshje me Greqinë për të siguruar një grant dhe janë në një fazë mjaft të avancuar të zgjerimit të gjashtë korsive aktuale të pikës kufitare “Bogorodicë” në 11 korsi, në mënyrë që të ketë një fluks shumë më të shpejtë në kufi sesa ka tani dhe pres që puna të fillojë diku në pranverë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com