Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë, që duhet të jetë instancë e objektivitetit, vlerave, virtyteve dhe etikës shkencore e akademike firmos skandalin e radhës që s’e rrok dot mendja me asnjë matematikë humane.
Ditë më parë për anëtarë korrespondentë në shkencat shoqërore janë zgjedhur prof. dr. Gordana Lazhetiq nga Universiteti Shën Cirili dhe Metodi me 33 citime ne google scholar, e radhitur në vendin 1287 sipas citimeve në RMV (https://www.adscientificindex.com/scientist/gordana-lazetic/6307813), ndërsa për përbërjen punuese është zgjedhur prof. dr. Stojko Stojkov me 34 syresh, me h index 3 dhe i radhitur në pozitën 1641 dhe (https://mk.h-index.com/en/author/lPdUegIAAAAJ) 1731 në nivel shteti (https://www.adscientificindex.com/scientist/stojko-stojkov/6308028). Këto shifra janë skandaloze duke pasur parasysh se ka njerëz me qindra citime, madje me mijëra, si Xhaferi (682), Petreski (964), 1410 (Petrevska) 2840 (Zekiri), 3181 (Rexhepi), madje 12.151 (Ramadani, i pari në kornizë shtetërore, sipas Stanfordit në top 2% e shkencëtarëve më të cituar në nivel global) që ka aplikuar dhe nuk është zgjedhur.
Njerëz që njihen ndërkombëtarisht në platforma relevante dhe që janë bashkëpunëtorë të botuesve (Springer, Elsevier, Emerald) dhe universiteteve të famshme botërore dhe hyjnë në kulmin e shkencëtarëve planetarë injorohen. Kur në shkencë s’ka objektivitet çfarë presim në fushat tjera të jetës!? Ku do ta marrin guximin të konkurrojnë ata që vërtetësisht e meritojnë nga shkollarët shqiptarë po edhe maqedonas e të tjerë që në piramidën shkencore janë shumë më lartë se sa të elitarët e paqenë, gjegjësisht të përkëdhelurit e ASHAM?